Shtatë të Dyshuar në Rastin ‘Medicus 2’ i Shpëtojnë Hetimeve

E publikuar: 20/03/2018 14:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prokurorët e misionit të Bashkimit Europian për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX, kanë pushuar hetimet ndaj shtatë të dyshuarve në rastin e njohur si ‘Medicus 2’.

Zyra për informim e EULEX-it tha për KALLXO.com në një përgjigje me shkrim se se në mungesë të dyshimit të arsyeshëm, ndjekja penale ka pushuar ndaj shtatë prej tetë të dyshuarve për këtë rast.

Kurse për të dyshuarin e tetë rasti është në procedurë.

“Rasti “Medicus 2” ka përfunduar në nëntor 2017 për shkak të mungesës së dyshimit të arsyeshëm se shtatë të dyshuarit kanë kryer veprën penale për të cilën janë akuzuar”, tha zëdhdnësja e EULEX-it Donika Berisha Rizaj për KALLXO.com.

“Ndërkohë, rasti është në vazhdim për një nga të dyshuarit. Aktualisht, këto janë të gjitha informatat të cilat mund t’i japim”, shtoi zëdhënësja.

KALLXO.com ka mësuar se hetimet kanë pushuar ndaj ish ministrit të Shëndetësisë, Alush Gashi, dhe të dyshuarve tjerë Shaip Muja, Shkëlzen Sylaj, Nuhi Uka, Rinon Dervishi, Osman Mehmeti dhe Flamur Bogaj.

Kurse ndaj të dyshuarit Kenan Demirkol rasti është duke vazhduar./kallxo.com/