Shqipëria voton

E publikuar: 25/04/2021 09:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në Shqipëri sot mbahen zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, për herë të dhjetë që nga nisja e pluralizmit politik dhe rënia e komunizmit në vend.

Ditën e sotme, rreth 3.6 milionë qytetarë shqiptarë me të drejtë vote do të votojnë për të zgjedhur 140 deputetët e parlamentit të ri dhe qeverinë e re që do të udhëheqë vendin për katër vjetët e ardhshme.

Në tërësi, në Shqipëri janë 12 qarqe, ku përfshihen 61 bashki, të ndara në 92 Zona të Administrimit Zgjedhor. Janë 383 njësi administrative të përfshira.

Nga ora 07:00 e mëngjesit deri në 19:00 të mbrëmjes, 5,199 qendra votimi do të jenë të hapura në gjithë vendin.

Bazuar në të dhënat nga Ministria e Brendshme, në këto zgjedhje janë 107,024 të rinj dhe të reja që do të votojnë për herë të pare.

Ndërkohë 1,098 shtetas nuk janë përfshirë në lista për shkak të dekriminalizimit. Ndërkaq, nuk mund të votojnë edhe 23 mijë persona, të cilët janë të infektuar me COVID-19.

Policia e Shtetit ka angazhuar mbi 7,500 efektivë për të gjitha qendrat e votimit dhe Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor në vend për këtë ditë.

Në Shqipëri janë regjistruar 46 subjekte politike, të shkrira në 13 parti me koalicione, që garojnë për marrjen e drejtimit të shtetit, megjithatë, vendi ka dy forca kryesore politike të cilat e kanë udhëhequr atë që nga rënia e komunizmit.

Partia Socialiste (PS) e drejtuar nga kryeministri aktual Edi Rama, kërkon një mandat të tretë qeverisës. Ndërsa, Partia Demokratike (PD) në opozitë, e drejtuar nga Lulzim Basha, kërkon ta marrë drejtimin e vendit pas tetë vjetësh në opozitë.

Një aktor i rëndësishëm në vend është edhe partia Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), që udhëhiqet nga Monika Kryemadhi. Kjo parti, tradicionalisht ka qenë e vogël në përfaqësim në kuvend, por ka luajtur rol në ndërtimin e qeverive përmes koalicioneve paszgjedhore.

Në Shqipëri votohet për herë të parë me një Kod të ri Zgjedhor, ku partitë garojnë me lista të hapura dhe qytetarët krahas partisë, mund të votojnë edhe për një kandidatët për deputet.

Këto zgjedhje mbahen në kohë pandemie dhe votuesit që u drejtohen sot qendrave të votimit duhet të kenë parasysh edhe masat kundër COVID-19. Maskat, dezinfektuesit dhe ruajtja e distancës janë disa prej elementeve thelbësore, ndërsa duhet të shmangen grumbullimet brenda dhe jashtë qendrave të votimit.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, pasi mbaroi procesin e votimit, në një deklaratë për media u bëri thirrje qytetarëve që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar dhe të zgjedhin kandidatin e tyre.

“Barazinë para ligjit e garanton barazia e votës. Çdo qytetar të votojë i lirë dhe me dinjitet për alternativën dhe kandidatin që beson. I ftoj të gjithë që tek alternativa të zgjedhin kandidatët më me integritet. Sot votimi është një akt patriotik. Atdheu mbrohet me votë dhe sjellje të qytetëruar evropiane”, u shpreh Meta.

Edhe kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi ka votuar dhe u ka bërë thirrje krerëve të partive politike që “t’i nënshtrohen verdiktit të sovranit”.

“Sot do të fitojë qytetaria e qytetarëve. Ne politikanët duhet të heshtim, të ndjekim procesin dhe t’i nënshtrohemi verdiktit të sovranit. Sot fitojnë vetëm qytetarët. Kushdo që do të mundohet për të bërë pis do të dështojë. Nga nesër do të ketë një fitues. Nga nesër fituesi duhet të dijë të të administrojë fitoren”, tha Ruçi.

Kryeministri Edi Rama, përmes një postim në rrjetet sociale i ftoi qytetarët të marrin pjesë në zgjedhje.

“Le ta tregojmë sot të gjithë së bashku, se përtej partive e dasive për ne është Shqipëria dhe le t’i shprehim bindjet e ndryshme me votë, por duke e respektuar Shqipërinë me mirësjellje shembullore ndaj njëri-tjetrit, në këtë ditë të shënuar të bashkëjetesës sonë demokratike, ku çdonjëri duhet ta gëzojë i patrazuar të drejtën e votës së lirë e të fshehtë, e prej ku Shqipëria duhet të dalë kryelartë për ne të gjithë”, shkruan Rama.

“;
//parse XFBML, because it is not nativelly working onload
if (!fbParse()) {
var c = 0,
FBParseTimer = window.setInterval(function () {
c++;
if (fbParse())
clearInterval(FBParseTimer);
if (c === 20) { //5s max
thisSnippet.innerHTML = “Facebook API failed to initialize.”;
clearInterval(FBParseTimer);
}
}, 250);
}
}
};
thisSnippet.className = “facebookSnippetProcessed”;
if (d.readyState === “uninitialized” || d.readyState === “loading”)
window.addEventListener(“load”, render);
else //liveblog, ajax
render();
})(document);

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, pas hedhjes së votës, bëri thirrje që qytetarët të votojnë.

“Dua t’ju bëj thirrje sot të gjithë qytetarëve që t’ju drejtohen qendrave të votimit të qetë, të bindur, për atë që duan të realizojnë nëpërmjet votës së tyre. Vota e qytetarëve është një votë e shenjtë, është një votë që për hir të së vërtetës do t’i japë mundësinë dhe shansin të rinjve dhe të rejave, të gjithë qytetarëve, që nëpërmjet verdiktit të tyre të çojmë Shqipërinë më shumë se kurrë drejt Evropës”, tha Kryemadhi.

Zgjedhjet e fundit parlamentare që janë mbajtur në Shqipëri, ishin ato të vitit 2017, ku është regjistruar edhe pjesëmarrja më e ulët historike në zgjedhjet për kuvendin që nga viti 1991, me 46.76% e qytetarëve që kanë marrë pjesë në këtë proces.