Shqetësohet Drecun: Perëndimi nuk do ta ulë mbështetjen për Kosovën por do ta rrisë

E publikuar: 04/01/2023 09:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i të ashtuquajturit komision parlamentar serb për Kosovën, Millovan Drecun, ka thënë se nuk beson se Perëndimi mund të ndryshojë qëndrimin për çështjen e zgjidhjes së marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë, transmeton gazeta serbe Kurir.

“Kur përcaktohen qëllime afatgjata gjeopolitike nga shtetet e fuqishme, ato nuk përshtaten me disa rrethana aktuale. Ata duan “t’ia marrin një pjesë të territorit Serbisë” dhe nuk do të heqin dorë nga kjo. Pengesa më e madhe për ta është qëndrimi i Serbisë, por qëndrimi i perëndimit do të mbetet i pandryshuar. Po a do të ndryshojnë qëndrimin e disa vendeve – “e mundur”, por do të ishte e rrezikshme për ta, duke pasur parasysh se janë nën ndikimin e fortë të SHBA”, “analizon” Drecun.

Ai paralajmëron se politika e Perëndimit do të ashpërsohet edhe më tej ndaj Serbisë.

“Po fillon një fushatë e fortë. Disa tekste që janë botuar së fundmi janë ngjyrosur jo vetëm me qëndrime irracionale që nuk korrespondojnë me faktet, por edhe me retorikë dukshëm anti-serbe. Ekzistojnë artikuj që haptas e akuzojnë palën serbe për destabilizimin. Madje ato thonë se serbët e veriut të Kosovës do të ndihen të lirë vetëm kur ta njohin shtetin e Kosovës, sikur Beogradi i mban në një pozitë të tillë, jo Prishtina”, ankohet Drecun i dëshpëruar se askush më nuk po beson në propagandën serbe dhe se bota e ka shumë të qartë se çfarë në të vërtetë është duke bërë Serbia për ta destabilizuar Kosovën.

Ai thekson se Perëndimi do ta rrisë, jo do ta ulë mbështetjen për Kosovën.Drecun e përmendi edhe propozimin franko-gjerman për Kosovën, për të cilin “shprehu dyshime”.

“Kur është fjala për propozimin evropian për zgjidhjen e marrëdhënieve, e kam thënë vazhdimisht se ky nuk është propozim francezo-gjerman, por se propozimi është shkruar nga Miroslav Lajçak dhe ekipi i tij edhe atë sipas direktivës. Ky propozim është bazuar në propozimin e vjetër të Ischinger-it. Francezët dhe gjermanët ishin vetëm një lloj bashkë-sponsorësh”, ka pretenduar Drecun.