Shpejtim Bulliqi flet në Kuvendin e Kosovës si fitues i zgjedhjeve në Podujevë

E publikuar: 30/11/2020 12:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi i cili sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve ka fituar dje garën për kryetar të Podujevës, tha se dita e djeshme ka qenë ditë e ndryshimit në Llap.

Sipas tij dje është lënë pas një pushtet që nuk ka plotësuar kërkesat e qytetarëve të komunës së Podujevës.

“Dita e djeshme ishte ditë e ndryshimit ku e lamë pas një pushtet i cili për kaq vite nuk arriti as për së afërmi të realizojë kërkesat dhe nevojat e tyre. Andaj nga dje, Llapi e Gollaku shpresoj që frymon lirshëm dhe prej dje Llapi e Gollaku qytetarëve të vet u a ka kthyer komunën që për gjatë kohë u ka munguar”, tha ai.

Bulliqi tha se do të punojë njësoj për të gjithë qytetarët e Podujevës posa të marrë mandatin e të parit të kësaj komune.

“Nuk bën ta harrojmë angazhimin maksimal, sidomos në veçanti të ministrit Abrashi i cili gjatë kësaj periudhe kohore përmes asfalteve të ndryshme me ato dy centimetra të asfaltit ka bërë një punë të jashtëzakonshme dhe e ka ndihmuar relativisht shumë punën e institucioneve lokale për nesër. Kësisoj mendoj shumë që nesër si kryetar i Podujevës do të jem një kryetar i cili do të punojë shumë dhe fuqishëm dhe do i trajtojë barabarsisht të gjithë qytetarët e Podujevës, kjo fatkeqësisht për një periudhë të gjatë kohore atyre u ka munguar”, tha ai.

Madje, Bulliqin nga ulësja e kryetarit të Kuvendit të Kosovës e ka uruar edhe nënkryetarja e këtij institucioni, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci.

“Faleminderit kryetar Bulliqi dhe shumë urime e suksese në detyrën e re”, tha Nagavci.

Sipas rezultateve preliminare, Shpejtim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosje ka fituar shumicën e votave për kryetar të Komunës së Podujevës, në zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtura dje.