Shkup: Së pari detaje për Omicronin, pastaj masa të reja

E publikuar: 29/11/2021 17:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Autoritetet në Maqedoninë e Veriut thanë se po ndjekin me vëmendje informacionet lidhur me përhapjen e variantit të ri të koronavirusit, Omicron dhe derisa nuk ka detaje konkrete, do të lë në fuqi masat aktuale kundër COVID-19.

“Në mbledhjen e Komisionit për Sëmundje Infektive konstatuam se për momentin nuk ka nevojë për masa konkrete pasi ende nuk kemi njohuri të mjaftueshme për variantin e ri të koronavirusit, Omicron. Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se bëhet fjalë për një variant që transmetohet shumë shpejt, por Instituti amerikan për Shëndetësi tha se edhe për transmetueshmërinë ende nuk ka informacione të mjaftueshme dhe mbase janë në një gjendje me variantin Delta”, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Kufizime në kufijtë e shtetit, karantinë apo gjëra tjera nuk do të jepnin rezultate, pasi është vështirë të parandalohet përhapja, kështu që për momentin do të fokusohemi në masat që aktualisht i kemi në fuqi. Gjendjen e ndjekim me kujdes, por për momentin nuk do të ndërmarrim masa”, shtoi ai.

Ai ka thënë se gjendja epidemiologjike në Maqedoninë e Veriut është e qëndrueshme dhe se në javën e fundit është regjistruar ulje e të infektuarve, por edhe e viktimave.

Nga rreth 210,000 të diagnostikuar me COVID-19, kanë vdekur 7,354 persona, ndërsa 8,271 raste janë ende aktive.

Por, për dallim nga ministri i Shëndetësisë, mjekët specialistë thonë se paraqitja e variantit të ri është shqetësuese dhe se institucionet duhet të ndërmarrin masa.

Epidemiologu Sashko Lunçev, thotë se rastet e para me variantin Omicron në Maqedoninë e Veriut mund të paraqiten në dhjetor, e më së voni në janar të vitit 2022.

Sipas tij, më të ekspozuar ndaj variantit Omicron janë të pavaksinuarit dhe të rinjtë, sidomos ata të moshës mes 20 dhe 30 vjeç, por edhe më të rinjtë sikur edhe studentët pasi bëjnë jetë më aktive, kryesisht mblidhen natën në grupe më të mëdha, ku mundësia e transmetimit të virusit është më e madhe.

“Si familje e viruseve, ky variant bën mutacione të shumta. Aq shpejt bën mutacione saqë ne nuk do të mund t’i numëronim. Ky variant ka bërë mbi 30 mutacione në një gjen dhe me gjasë ne shumë shpejt do të përballemi me të. Derisa të arrijë Delta Plus do të arrijë edhe Omicron, që godet kryesisht moshën më të re”, thotë epidemiologu, Sashko Lunçev.

Mjeku specialist në Institutin e Shëndetit Publik, Zllaten Mehmedoviq, thotë se shteti nuk duhet të presë paraqitjen e varantit të ri të virusit dhe pastaj të alarmohet, por masat duhet të merren që tani, përmes kontrolleve të rrepta duke nisur që në pikat kufitare, si dhe të bëhet më shumë për fushatën e vaksinimit.

Sipas të dhënave zyrtare, në Maqedoninë e Veriut deri tani është vaksinuar afër 39 për qind e popullatës, apo rreth 830,000 persona.

“Vërtetë është një variant për t’u brengosur, meqë pas detektimit shumë vende kanë dhënë alarmin mbi rrezikun nga mutacionet e koronavirusit. Besoj se do të ketë përhapje në shumë vende dhe nuk është çështje nëse do të mund ta parandalojmë, por se kur ky variant do të arrijë në vendin tonë. Fokusi ynë kryesor duhet të jetë që sa më pak të përhapet në popull. Nuk mendoj se duhet të mbyllemi tërësisht, por duhet të ketë kontrolle të rrepta. Duhet të ketë karantinë për ata që diagnostikohen me këtë variant të virusit, të bëhen sa më shumë teste PCR gjatë hyrjen në vendin tonë”, thotë mjeku Zllaten Mehmedoviq.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë të hënën se varianti i ri i koronavirusit, Omicron mund të përhapet në gjithë botën dhe përbën rrezik “shumë të madh” për vendet ku pasojat mund të jenë të mëdha.

OBSH-ja ka thënë se duhet bërë më shumë kërkime për të kuptuar potencialin e këtij varianti ndaj imunitetit të fituar nga vaksinat dhe infektimet paraprake.

Më 26 nëntor, Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se Omicron, që fillimisht u identifikua në Afrikën e Jugut, ishte “variant shqetësues”.

Sa i përket përhapjes, OBSH-ja ka thënë se ende është e paqartë nëse Omicroni është më i transmetueshëm sesa variantet paraprake, përfshirë variantin Delta.