Shkon në 46 numri i të vdekurve nga aksidenti tragjik në Bullgari

E publikuar: 23/11/2021 08:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Të paktën 46 persona, shumica prej tyre nga Maqedonia e Veriut, kanë vdekur pasi një autobus është përfshirë nga flakët në një autostradë në perëndim të Bullgarisë më 23 nëntor, kanë thënë zyrtarët.

Fëmijët kanë qenë në mesin e viktimave dhe shtatë të mbijetuar kanë pasur nevojë për trajtim në spitalin e kryeqytetit Sofje, si pasojë e djegieve, ka thënë Nikolai Nikolov nga Ministria e Brendshme e Bullgarisë për televizionin privat, BTV.

“Të paktën 45 persona kanë vdekur pasi një autobus është përfshirë nga flakët dhe është përplasur, apo është përplasur edhe më pas është përfshirë nga flakët”, ka thënë Nikolov.

Ministria e tij më vonë e ka përditësuar numrin në 46.

Në autobus besohet se kanë qenë 53 persona. Aksidenti ka ndodhur në autostradën Struma rreth 45 kilometra në perëndim të Sofjes, në orët e para të mëngjesit të së martës.

Një zyrtar nga spitali në Sofje ka thënë se shtatë persona janë duke u trajtuar, të cilët kanë arritur të largohen nga autobusi. Gjendja e tyre është stabile.

Për aksidentin tragjik, Ministria e Punëve të Brendshme të Bullgarisë ka dal me njoftim.

“Denoncimi për një aksident të rëndë trafiku është bërë pak pas orës 2 të mëngjesit të sotëm. Sipas të dhënave fillestare nga autostrada e Strumës, rreth 31 km është aksidentuar një autobus i regjistruar në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Si pasojë e aksidentit kanë humbur jetën 45 persona. Në vendngjarje kanë shkuar me kohë ekipet e policisë, zjarrfikëses dhe ambulanca. Si rezultat i veprimeve të tyre të shpejta, shtatë persona janë transportuar në spital për mjekim. Po kryhet një inspektim. Qarkullimi është ndërprerë në të dy drejtimet. Një organizim i përkohshëm për lëvizje përmes p.v. Dolna Dikanya dhe p.v. Daskalovo”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev, zëvendëskryeministri Bujar Osmani dhe ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe tashmë po udhëtojnë për në Bullgari, konfirmoi agjencia shtetërore maqedonase e lajmeve MIA./Gazeta Express