Shkarkohet komandanti i Flotës Amerikane

E publikuar: 23/08/2017 12:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Marina amerikane shkarkoi komandantin e Flotës së Shtatë, Joseph Aucoin, pas disa aksidenteve që kanë përfshirë luftanijet në Azi.

Dhjetë marinarë vazhdojnë të jenë të zhdukur nga përplasja e luftanijes USS John S. McCain me një cisternë të naftës, të hënën pranë Singaporit.

 Zyrtarët kanë thënë se kanë gjetur mbetje njerëzish në bordin e anijes që tani ndodhet në portin në Singapor.

Përplasja ka qenë incidenti i katërt i tillë në një vit.

Marina amerikane tha përmes një deklarate se ka humbur besimin në aftësinë e Aucoinit për të komanduar.

Flota e Shtatë amerikane është e vendosur në Jokosuka të Japonisë.

Aucoin, i cili ka qenë komandant qysh në vitin 2015, është dashur të pensionohet brenda javësh.

Pasardhësi i caktuar do ta zëvendësojë menjëherë.