Shiste drogë, prangoset polici i Komisariatit në Durrës

E publikuar: 31/10/2017 13:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një oficer policie është vënë në pranga në Durrës, pasi akuzohet se bashkë me disa persona të tjerë shiste drogë.

Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave ka bërë të ditur se ka vënë në pranga punonjësin e Policisë në Komisariatin e Durrësit për shitje narkotikësh.

I arrestuari është punonjësi u Patrullës në Komisariatin e Policisë së Durrësit, Fatmir Meço.

33-vjeçari akuzohet për ‘shpërdorim të detyrës’ dhe ‘prodhim e shitje të narkotikëve’.

Gjithashtu u arrestua edhe Fitim Selaci 19 vjeç, banues në Fushë Krujë, si dhe janë shpallur në kërkim dy persona me inicialet A. M., 24 vjeç dhe R. T., 19 vjeç, me akuzën e ‘prodhimit dhe shitjes së narkotikëve’.

Arrestimi i punonjësit të policisë Meço u bë pas një hetimi disa mujor, zhvilluar me metoda speciale nga SHÇBA.

Nga ky hetim rezultoi se efektivi i Komisariatit të Durrësit bashkëpunonte me Fitim Selacin dhe dy personat e shpallur në kërkim, për prodhimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike.

Fatmir Meço duke shfrytëzuar pozicionin e tij, u garantonte pjesëtarëve të grupit lehtësi në mbajtjen dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike. Në disa raste, dyshohet se ky punonjës policie ka transportuar dhe shpërndarë edhe vetë lëndë narkotike.

Gjatë kontrollit në banesë atij iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike e llojit kanabis, si dhe një presë për paketimin e lëndës narkotike.

Në banesën e shtetasit Fitim Selaci në Fushë Krujë u sekuestrua një sasi prej 6.3 kg lëndë narkotike e llojit kanabis.

Dosja me materiale i ka kaluar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.