SHISH vihet në lëvizje për rastin “Tahiri”

E publikuar: 26/10/2017 13:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Treshja Llalla-Meta-Berisha po bëjnë të gjitha lëvizjet për të dërguar në burg Saimir Tahirin dhe për të goditur qeverinë.

Dosja për Habilajt e autoriteteve italiane u shftytëzua mjaft mirë nga rivalët e kryeministrit Edi Rama, por dje shpresat e tyre për arrestimin e ish-ministrit u venitën.

Teksa Prokuroria e Katanias nuk ka sjellë ende asnjë të dhënë shtesë, mësohet se sytë e Presidentit, ish-kryeministrit dhe kryeprokurorit janë te Shërbimi Informativ Shtetëror.

Para se të kërkohej arrestimi i Tahirit, pati një takim kokë më kokë mes Adriatik Llallës dhe Visho Ajazi Likës.

Sipas gazetës SOT në këtë rast është angazhuar dhe SHISH, duke bërë përgjime dhe shpresat janë se gjatë gjurmimit të Habilajve mund të gjendet ndonjë detaj që përfshin Tahirin.

Momentalisht mësohet se janë vënë nën përgjim shumë drejtorë policie dhe efektive që po ashtu po mbahen nën monitorim nga Visho Lika.

Edhe në këto raste po shpresohet që ata të përmendin emrin e ish-ministrit.

Shpresat e treshes Llalla-Meta-Berisha ishin se Tahiri do të arrestohej dhe kjo do të ishte një alibi e fortë për të kërkuar rrëzimin e qeverisë.

Parlamenti e rrëzoi kërkesën dhe tani shpresat e vetme janë te Italia për të sjellë prova, por që shanset janë të pakta dhe te Visho Lika, që mund të nxjerrë diçka nga përgjimet./CityNews