Shfaqja Ajrore e Kinës 2021 tërheq rreth 120 000 shikues

E publikuar: 05/10/2021 12:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ekspozita e 13-të Ndërkombëtare e Aviacionit dhe Hapësirës e Kinës, e njohur edhe si Shfaqja Ajrore e Kinës 2021, përfundoi me sukses duke marrë një vëmendje të madhe publike.

Rreth 120 000 shikues vizituan ekspozitën gjashtëditore të zhvilluar në Zhuhai të provincës Guangdong në jug të Kinës, duke parë shfaqjet ajrore dhe pajisjet e përparuara.

Vizitorët shijuan shfaqjet tërheqëse aerobatike nga ekipi elitar aerobatik i Forcave Ajrore të Ushtrisë , përveç paraqitjes së mbi 100 avionëve.

Të pranishmit vizituan gjithashtu virtualisht kabinën e pilotit. Pjesëmarrësit e përzgjedhur mund të testonin aftësitë e tyre operacionale përmes një loje të realitetit virtual dhe të mësonin lëvizjet bazë në një imitues fluturimi.

Si një nga ekspozitat më të mëdha të mbrojtjes në botë, Shfaqja Ajrore e Kinës është një mundësi e rrallë për publikun që të shohë nga afër armët kineze, duke përfshirë edhe ndër ato më të rejat.

Shfaqjet e eksplorimit të hapësirës ishin një tjetër pjesë e pëlqyer e ekspozitës.

Ekspozita u organizua dy javë pasi tre astronautë kinezë përfunduan një mision tremujor në modulin kryesor të stacionit hapësinor “Tianhe”.

Në ekspozitë u shfaqën modele të raketave mbartëse të peshave të rënda të brezit të ri, sondës hënore “Chang’e-5” dhe kapsulës së kthimit nga prototipi i një anijeje kozmike me ekuipazh.

Në edicionin e sivjetshëm të Shfaqjes Ajrore të Kinës kishte një zonë të brendshme ekspozimi me sipërfaqe 100 000 metra katrorë, dhe gjithashtu një zonë ekspozimi të jashtme prej 360 000 metrash katrorë.

Afro 700 kompani nga rreth 40 vende e rajone morën pjesë në këtë veprimtari, duke përfaqësuar nivelin e përparuar botëror në fushat e hapësirës ajrore dhe të mbrojtjes.