Shërbimet e inteligjencës serbe: CIA po përgatit incidente në Kosovë

E publikuar: 08/09/2022 12:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sipas informacioneve të gazetë pro-qeveritare serbe “Novosti”, shërbimet e sigurisë së Serbisë e kanë “zbuluar të dhënat operativ të departamentit të CIA-s i cili merret me Ballkanin, dhe janë duke i analizuar seriozisht”, sepse Serbia “duhet të përgatitet për një skenar të mundshëm që mund ta komplikojë edhe më shumë situatën e sigurisë në Kosovë”, pretendohet në artikull, transmeton Paparaci.

“Agjencia Qendrore Amerikane e Inteligjencës (CIA) punësoi grupe ekstremiste dhe kriminale, të cilat në periudhën e ardhshme duhet të shkaktojnë incidente në vijën kufitare me Kosovën. Kjo do të ishte një arsye për të rritur numrin e ushtarëve të NATO-s dhe qëllimi përfundimtar është të shtypet ndikimi i Rusisë në Ballkan”, shkruan tutje “Novosti”.

Sipas kësaj “analize” “CIA u mundësoi kriminelëve shqiptarë qasje në fonde të tyre sekrete financiare dhe me ato para u krijuan rrugë për kontrabandën e armëve nga Rumania dhe Shqipëria në Kosovë”. Një pjesë e parave, gjithnjë sipas shërbimeve serbe “dyshohet se u paguan për ukrainasit që jetonin në Rumani, dhe ata më pas siguruan sasi më të vogla armësh dhe xhaketë anti-plumb nga perëndimi, si dhe raketa kundër tankeve “javelin” dhe raketa kundërajrore “stinger”. Armët u dërguan në Shqipëri me anije dhe prej andej u transferuan në Kosovë”.

Gjithashtu, pretendohet se “CIA, me ndihmën e liderëve opozitarë të Çeçenisë, ka rekrutuar një numër mercenarësh çeçenë, të cilët duhet të lidhen me formacionet e armatosura lokale serbe në Kosovë” dhe se “plani është që ato forca, të maskuara si ushtarë të ushtrisë serbe, të sulmojnë njësitet e Policisë së Kosovës në afërsi të vijave kufitare dhe kështu të provokojnë reagimin e KFOR-it nga baza “Bondsteel”, përcjell Paparaci.

Këtë zhvillim të situatës, sipas pretendimeve të operativëve serbë, “NATO-ja do të mund ta shfrytëzonte që të forcojë forcat e saj dhe të shtojë numrin e trupave në “Bondsteel” dhe në Kosovë”.

“Qëllimi i SHBA është të forcojnë praninë e tyre në Evropë dhe Ballkani Perëndimor i cili është një nga pikat e fundit ku nuk janë vendosur formacione më të forta të Amerikës dhe NATO-s”, pretendohet në këtë “analizë”.

“Ky zhvillim i situatës mund të dëmtojë plotësisht sigurinë e serbëve të Kosovës në momentin kur presin të shohin se si do të zgjidhet çështja e targave serbe. Madje, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar mundësinë që automjetet e serbëve që nuk duan të zëvendësojnë targat serbe me ato të Kosovës, do t’u konfiskohen. Krerët e serbëve kanë përsëritur disa herë se nuk duan të pajtohen me vendimet e Kosovës për targat”, pretendon gazeta serbe, dhe vazhdon:

“Fjala vjen, në pranverë, forcat speciale të ushtrisë amerikane zhvilluan stërvitje të përbashkët me forcat speciale të policisë së Kosovës dhe të Forcave të Sigurisë së Kosovës të quajtur BILAT. Siç njoftoi në atë kohë Komanda e Operacioneve Speciale Evropiane të Ushtrisë Amerikane, “kryerja e trajnimeve dypalëshe me forcat partnere të NATO-s të vendeve të Ballkanit është shumë e rëndësishme për mbështetjen e sigurisë në rajon dhe frenimin e aktiviteteve destabilizuese”.

Me ftesë të Uashingtonit, forcat e FSK-së ishin pjesë e misionit ndërkombëtar në Kuvajt”.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com