Shembet kulmi i kishës gjatë pagëzimit të një fëmije, vdesin 11 anëtarë të një familjeje

E publikuar: 21/09/2017 12:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pagëzimi i një fëmije është shndërruar në tragjedi kur kulmi i një kishës u shemb si pasojë e tërmetit të fuqishëm që e tronditi Meksikën qendrore. Njëmbëdhjetë anëtarë të një familjeje vdiqën, përfshirë edhe vajzën 2-muajshe që po pagëzohej.

Të mbijetuarit e vetëm janë prindërit e fëmijës, prifti dhe ndihmësi i priftit, ka thënë dioqeza e kryepeshkopit në Puebla. Të paktën katër të mitur ishin në mesin e të vdekurve, transmeton Express.

“Ishte një skenë horrori dhe trishtimi të shohësh shumicën e njerëzve brenda kishës duke vdekur”, ka thënë ndihmësi i priftit, Lorenzo Sanchez, për Associated Press.

Ai ka thënë se të mbijetuarit kishin ikur në qoshe të kishës kur kishte filluar dridhja ndërsa ata që vdiqën nuk kishin pasur kohë për një gjë të tillë.

Mbi 220 njerëz kanë vdekur në tërmetin e tmerrshëm që e goditi Meksikën të martën. /Express/