Sheholli: Veshja e Radoiçiqit si e Zelenskyt kishte mesazh kinse veriu është në prag lufte

E publikuar: 06/07/2022 19:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Drejtori i Institutit për Afrimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, Fatmir Sheholli, ka folur për paraqitjen e nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiq, nga veriu i vendit ndonëse ai është i kërkuar nga policia. Për Shehollin, veshja e Radioçiqit korrespondon me atë të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, që sipas tij, edhe me këtë ai dërgon një mesazh se veriu është në një prag lufte.

Sipas tij, paraqitja e Radoçiqit nga veriu i vendit lë përshtypje të asaj që ai dërgon mesazh se është udhëheqës i serbëve të Kosovës dhe, sipas tij, si i tillë, të gjithë serbët duhet t’i nënshtrohen mendimit të tij.Tutje, Sheholli tha se paraqitja e tij nga veriu paraqet sfidë të jashtëzakonshme për të gjitha organet e sigurisë në Kosovë, pasi siç dihet, Radoiçiq është nën hetime dhe ka aktakuzë prej organeve të sigurisë së Kosovës.

“Ajo që lë përshtypje është që Radoiçiq, me këtë fjalim që ka përmbajtje nacionaliste, dëshiron që popullit serb në Kosovë t’i çojë mesazh se Kosova po përgatit diçka dhe për këtë arsye ai është kthyer në Kosovë”.

“Ky nuk është kërcënim vetëm ndaj serbëve që nuk janë të dëgjueshëm ndaj LS-së, por është kërcënim sepse ai në fjalimin e tij thotë se ‘i përshëndeti serbët e mi të veriut’ dhe pastaj thotë ‘po u drejtohem edhe atyre’, duke menduar jo vetëm në shqiptarë, por edhe në bashkësinë ndërkombëtare sepse, siç e dimë të gjithë, ai është në listën e zezë amerikane”, është shprehur Sheholli në “Info Magazine” në Klan Kosova.

Më tej, sipas Shehollit, menjëherë pas publikimit të videos së Radioçiqit nga veriu i vendit, sot më shumë se 20 mijë serbë të Kosovës e kanë përshëndetur deklarimin e tij përmes rrjeteve sociale, ndonëse fjalimi i tij, siç thotë ai, ka konotacion të tensionimit të situatës.“Pra, në konceptin e asaj që ai është udhëheqës i serbëve të Kosovës, këtu dilemë s’ka sepse e ka fuqinë e jashtëzakonshme.

Fjalimin e fillon ai ‘terrori i serbëve po fillon’. Natyrisht që kjo deklaratë e ka konotacionin e tensionimit të një situate në veri të vendit, sepse njeriu normal kur e sheh këtë e sheh si kërcënim në rrethanën e veriut”, është shprehur Sheholli.