SHBA përkrah këdo që mund të formojë qeveri pas zgjedhjeve të 11 qershorit

E publikuar: 12/06/2017 18:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ambasada e Shteteve të Bashkuara përgëzon popullin e Kosovës për zgjedhjet demokratike të mbajtura dje.

SHBA, përmes Ambasadës së saj në Kosovë, thotë se me interesim të lartë i pret raportimet e misionit zyrtar vëzhgues.

“Përderisa jemi të shqetësuar nga disa raportime për prezencën e listave të vjetra të votuesve, votimeve të dyfishta dhe parregullsive tjera sporadike, përgëzojmë Komisionin Qendror Zgjedhor, Komisionerët nëpër vendvotime, OSBE-në dhe të gjitha ekipet tjera monitoruese dhe vëzhguese për punën e tyre të jashtëzakonshme. Gjithashtu, zotohemi për mbështetjen tonë të vazhdueshme gjatë tërë kohës sa zgjat procesi i certifikimit të votave dhe të gjitha raportimet mbi parregullsi të jenë hetuar hollësisht dhe zgjidhur në përputhje me ligjet e Kosovës”, thuhet në deklaratën e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë.

Më tej, SHBA thotë se votuesit e Kosovës e kanë thënë fjalën e tyre dhe tani procesi i formimit të qeverisë së re duhet filluar.

“Shpresojmë në bashkëpunim të ngushtë me këdo që formon qeverinë e re. Shpresojmë që të gjithë zyrtarët e sapozgjedhur të Kosovës pavarësisht përkatësisë partiake do të përkushtohen për të ndërmarrë hapa për të mirën e gjithë qytetarëve të Kosovës. Kosova gëzon mbështetjen e Shteteve të Bashkuara në rrugëtimin e saj drejt integrimit të plotë Euro-Atlantik”, përfundon deklarata e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë.