SHBA gati të ndërhyjë për Shqipërinë: E zgjidhim ne çështjen me Sofjen

E publikuar: 28/06/2022 23:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Shba-Al-eu-shqiperia

Shtetet e Bashkuara janë të gatshme ndërhyjnë për zgjidhjen e ngërçit me Sofjen që ka bllokuar Maqedoninë e Veriut e po mban peng edhe Shqipërinë në përpjekjet për të marrë dritën jeshile të negociatave të anëtarësimit.

Washingtoni u ofrua të luajë “një rol konstruktiv në lehtësimin e një kompromisi”, mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, i cili do t’i hapte rrugë nisjes zyrtare të bisedimeve për Shkupin, e për rrjedhojë, edhe për Shqipërinë. Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, i tha Zërit të Amerikës se “duke pasur parasysh rëndësinë e këtij procesi për vendet e rajonit dhe për Europën më gjerësisht, ne shpresojmë se përpjekjet diplomatike do të vazhdojnë dhe do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetjen tonë aty ku është e dobishme”.

Zëdhënësi thekoi gjithashtu se “përshëndesim Francën për përpjekjet e saj për të sjellë një zgjidhje të suksesshme me qëllimin që të nisin sa më shpejt negociatat zyrtare”. Franca mban deri në fund të qershorit presidencën e radhës së BE-së, e u përpoq ta shfrytëzonte këtë periudhë të mbetur kohe për të përshpejtuar procesin e ngecur, përmes një propozimi kompromisi mes Sofjes dhe Shkupit. Propozimi francez parashikon ndër të tjera përfshirjen në kushtetutë të të drejtave të shtetasve bullgarë në Maqedoninë e Veriut, apo dhe mosnjohjen prej saj të gjuhës maqedonase.

Por kryeministri maqedonas Dimitar Kocacevski e bëri të qartë se në formën aktuale, ky propozim është i papranueshëm për të dhe kërkoi rishikimin e draftit. Kjo gjë deri më tani, nuk ka ndodhur. Zyrtarët maqedonas po presin të shohin cfarë do të bëhet deri të enjten, që është dhe dita e fundit e presidencës franceze të bllokut europian. Pas kësaj, drejtimin e Këshillit e merr Republika Ceke, e cila e ka treguar se procesin e zgjerimit, nuk e ka në listën e prioriteteve të saj./tch/