Shala: Duhet arritur marrëveshja finale me Serbinë, s’ka më durim për vjet të tëra në dialog

E publikuar: 05/06/2021 12:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që ia njohu të drejtën për shtetësi Kosovës ka mundur të shërbejë si një rrethanë e re, shumë e volitshme, për pesë shtetet e BE-së për ta njohur Kosovën, ka thënë analisti politik Blerim Shala.

Këtë vendim të GJND-së, Shala po e quan disfatë finale të Serbisë në raport me Kosovën, për të cilën tha se më shumë e kërkoi vetë me pyetjen që ia kishte bërë kësaj gjykate në vjeshtën e vitit 2008, njofton Klam Kosova.

“Në vjeshtën e vitit 2010, pra, ka qenë e mundur të ndodhë ajo ‘Prerja finale’ e akomodimit ndërkombëtar të pavarësisë së Kosovës, duke pasë si bazë të veten Vendimin e ICJ-së. Ky me gjasë ka qenë ai rasti i fundit që tema e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë të përmbyllet brenda një afati disavjeçarë, duke arritur aty ku është dashtë, me Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë”.

Meqë kjo nuk ndodhi për shkaqe pak a shumë të njohura për të gjithë, thotë Shala, dialogu ka hyrë në decenien e dytë derisa në Kosovë, askush nuk ka më durim që edhe për tjera vite të tëra të vazhdohet me të pa mbërritur sa më parë që është e mundur te ai qëllimi i përcaktuar qëmoti – marrëveshja finale me bazë njohjen reciproke.