Serbia një hap më afër anëtarësimit në BE, por marrëdhëniet me Kosovën mbeten kyçe

E publikuar: 15/12/2021 09:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Serbia ka bërë një hap më afër anëtarësimit në Bashkimin Evropian pas hapjes së bisedimeve për një sërë politikash mjedisore.

Të martën, Beogradit iu lejua të fillonte diskutimet mbi ndryshimin e klimës, energjinë, transportin dhe rrjetet e infrastrukturës trans-evropiane.

Kryeministrja serbe, Ana Brnabiq, u tha gazetarëve në Bruksel se masa shënon një moment historik shumë të rëndësishëm për procesin e tyre në integrimin evropian.

Por BE-ja ka paralajmëruar se përparimi në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE ende varet nga normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, shkruan Euronews.

Vendet që duan të bashkohen me bllokun 27-anëtarësh duhet t’i sjellin ligjet dhe rregulloret e tyre në përputhje me standardet e BE-së.

“Serbia po bën një hap tjetër shumë të rëndësishëm përpara në anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian”, tha komisioneri për zgjerimin e BE-së, Olivér Várhelyi.

Por ai shtoi se marrëdhëniet me Kosovën dhe sundimi i ligjit mbeten thelbësore për ritmin e përgjithshëm të bisedimeve të pranimit.

“Është thelbësore që Serbia të vazhdojë të japë rezultate në terren,” tha Várhelyi.

Serbia, e mbështetur nga aleatët e saj Rusia dhe Kina, ka refuzuar të njohë shpalljen e pavarësisë së Kosovës, bashkë me pesë vende aktuale të BE-së.