Serbia e fuqizon Brigadën famëkeqe që kreu krime në Kosovë, ia shton njësitin e ri elitar

E publikuar: 31/03/2023 07:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ushtria serbe së shpejti do të ketë një njësi të re elitare të quajtur “Shqiponjat”.

Ky do të jetë batalioni i tretë luftarak në përbërjen e Brigadës së 72-të të Operacioneve Speciale nga garnizoni i Pançevos, përveç “Grifonëve”, të cilët kryesisht janë të destinuar për detyra zbulimi dhe kundërzbulimit dhe “Skifterët” për operacione antiterroriste, raportojnë mediat.

Në ndryshimet në rregulloren për pozitat formuese të oficerëve dhe nënoficerëve, të cilat janë publikuar në Listën Zyrtare Ushtarake dhe do të hyjnë në fuqi nga 29 mars, figuron një njësi e re – BOPSO “Orlovi” (Shqiponjat). Një shkurtesë që nuk është parë deri më tani në ushtrinë serbe është ndoshta një batalion për mbështetje operative për operacione speciale, sipas portalit Rrjeti Ballkanik i Sigurisë.

Sipas rregullores, siç shtohet, përcaktohet konkretisht se grada major me grupin e pozicionit 12 i takon komandantit të kompanisë mbështetëse luftarake që bën pjesë në Shqiponjat. Për kompanitë e tjera parashikohet edhe një major për komandantin, por në grupin e 13-të që pasqyrohet në pagë, sa më i ulët numri, aq më e lartë është paga.

Pas riorganizimit të ardhshëm, Brigada e 72-të do të ketë një komandë dhe njësi në përbërjen e saj – një batalion komandues, tre batalione luftarake, një kompani logjistike dhe një togë të policisë ushtarake, thuhet në tekst.

Kjo njësi elitare e ushtrisë serbe u formua në gusht të vitit 1992 me emërtimin Brigada e 72-të Sulmuese Ajrore sipas praktikës së traditës ushtarake sovjetike. Së shpejti, emërtimi zyrtar u ndryshua në Brigada Speciale 72. Anëtarët e saj morën pjesë në operacionet luftarake në Bosnje dhe Hercegovinë në vitet 1990, në Kosovë në vitet 1998 dhe 1999 dhe në shtypjen e kryengritjes së shqiptarëve në jug të Serbisë në vitin 2001.

Kjo Brigadë ka kryer krime lufte si në Bosnje ashtu edhe në Kosovë.

Në riorganizimin e vitit 2006, Brigada e 72-të dhe ajo e 63-të e Parashutistëve u bashkuan në Brigadën Speciale. Numri i brigadës ruhet në të si emërtim numerik për batalionin e 72-të zbulues-kundërzbulues.

Që nga dhjetori 2019 është sërish brigada e 72-të me “Grifonët” dhe “Skifterët” dhe tani “Shqiponjat”.

Zgjerimi i përbërjes organizative dhe formative të Brigadës 72 është pjesë e planit për caktimin e 5000 personave në ushtrinë serbe në njësitë e reagimit të shpejtë.

Sipas klasifikimit të gatishmërisë, këto do të jenë njësi të shënuara si R-0, që do të thotë se në paqe do të kenë mbi 90 për qind të njerëzve që pritet të jenë në formacion të plotë lufte, thekson portali.

Serbia riaktivizon këto dy brigadat famëkeqe që kishin kryer krime në Kosovë e Bosnje

Pas më shumë se 13 vjetësh, në vitin 2019, Serbia kishte aktivizuar përsëri dy brigadat të cilat kishin kryer krime në Bosnje e Kosovë. Bëhet fjalë për Brigadën 63 të parashutistëve dhe atë 72 për operacione speciale.

Këto dy brigada ishin riaktivizuar përsëri pasi ishin shkrirë në vitin 2006 në Brigadën Speciale. Ish ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, teksa kishte folur në lidhje me këto ndryshime, ka thënë se këto dy brigada kanë qenë gjithmonë me popullin serb.

“Sa herë që popullit serb i kërcënohej rreziku nga masakrat dhe shkatërrimi, këto që mbanin këta emra ishin me të. Vetëm një popull mosmirënjohës dhe vetëm një ushtri jo çlirimtare, që komandohet nga të huajt, do të vendoste të humbë emrat Brigadës së lavdishme 72 dhe asaj 63, dhe t’i hedh në të kaluarën”, kishte thënë Vulin.

Këto dy brigada si njësi elitare, fillimisht në ish APJ (Armata Popullore e Jugosllavisë) e pastaj të Ushtrisë Jugosllave, nga viti 1991 deri më 1999 kanë marrë pjesë në luftëra në ish-Jugosllavi, ka thënë hulumtuesi i Fondit për të Drejtën Humanitare Jovan Kollariq. “Ajo për çka mbahen në mend më së shumti pa dyshim është pjesëmarrja e Brigadës 72, e pastaj edhe pjesë të Brigadës 63 parashutiste, në rrethimin e Sarajevës, përkatësisht që të dy këto brigada u dërguan atje në dhjetor të vitit 1993 në zonën e Vogoshçës me detyrë që të marrin kontrollin e malit Zhuç, një pikë me rëndësi strategjike për forcat serbe në Bosnjë e Hercegovinë. Këtë të dhënë e kemi marrë vesh nga aktgjykimi i Tribunalit të Hagës ndaj Momçillo Perishiqit”, ka thënë Kollariq.

Po ashtu Brigada 63 Parashutiste mbahet në mend për pjesëmarrjen në operacionin “Reka” më 27 prill të vitit 1999 në Kosovë. “Kur kjo njësi, bashkë me njësi të tjera të Ushtrisë së Jugosllavisë dhe MUP-it të Serbisë merrte pjesë në operacionin “Reka”, në të cilin u vranë së paku 350 civilë shqiptarë, nga territori i luginës së Rekës, në perëndim të Gjakovës, u dëbua thuaja e gjithë popullsia shqiptare” , ka thënë Kollariq, duke rikujtuar se trupat e 309 viktimave nga ky operacion janë gjetur në varrezat masive në Batajnicë, në periferi të Beogradit.

Ai ka shtuar se ky operacion është dokumentuar në aktgjykimet e Tribunalit të Hagës, me të cilat janë dënuar zyrtarët ushtarakë e policorë të Serbisë, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Jugosllavisë, Dragolub Ojdaniq, shefi i Armatës së Tretë Nebojsha Pavkoviq, shefi i Shtabit të Ministrisë së Punëve të Brendshme për Kosovën, Srten Llukiq, shefi i Korpusit të Prishtinës, Vlladimir Llazareviq dhe shefi i Drejtoratit të resorit të Sigurimit Publik të MUP-it të Serbisë, Vllastimir Gjorgjeviq.

Brigada 63 Parashutiste dhe Brigada Speciale 72 janë dekoruar me Urdhrin e Heroit të Popullit në tetor të vitit 1999 dhe me Urdhrin e Flamurit Luftarak në qershor të vitit 2000 në kohën e regjimit të presidentit të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviqit.