Selmanaj për zgjedhjet në veri: Kurti u tregua i papërgjegjshëm, po improvizohet kinse situata është e qetë

E publikuar: 19/04/2023 14:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, deputeti i LDK-së Driton Selmanaj, tha në një prononcim për Ekonomia Online, se pas sabotimit të zgjedhjeve nga serbët e veriut ka humbur edhe kuptimi i mbajtjes së tyre.

Ai tha se situata e tensionuar në veri të vendit ka ardhur si rezultat i sjelljeve të papërgjegjshme e të gabueshme të kryeministrit Albin Kurti dhe Qeverisë së tij.

Madje sipas tij, situata është duke u improvizuar nga pushteti në mënyrë që të duket që gjërat janë duke lëvizur pozitivisht.

“Esenca e demokracisë është që njerëzit marrin pjesë në zgjedhje dhe përmes zgjedhjeve të zgjedhin institucionet e tyre demokratike. Dhe nga ajo që kemi kuptuar deri sot, një pjesë e madhe, pjesa e atyre që i kanë përfaqësuar deri dje serbët e veriut të Kosovës kanë vendosur që të mos marrin pjesë në zgjedhje. Atëherë në esencë si demokraci humb kuptimi i organizimi të zgjedhjeve nëse eventualisht ka një sabotim të tyre”, tha ai.

“Nga ana tjetër duhet thënë që kjo situatë ka ardhur si rezultat i sjelljeve të papërgjegjshme, shumë të gabueshme të këtij kryeministri dhe kësaj Qeverie karshi veriut të Kosovës. E ka sjell veriun e Kosovës në një situatë ku nuk ka rend dhe ligj, nuk ka as institucione s’ka as gjë. Dhe tani është futur në ciklin për të improvizuar, unë mendoj që kjo është një hap improvizues për të provuar kinse gjërat po lëvizin, por në fakt unë nuk po shohë gjëra pozitive”.

“Qasja për veriun duhet të jetë ndryshe, duhet të jetë shumë më pragmatiste, duhet të jetë në koordinim të ngushtë me faktorin ndërkombëtarë,  në mënyrë që më pas çdo hap që ndërmerret atje të ketë edhe legjitimitet demokratik edhe legalitet Kushtetues në Kosovë, por edhe të ketë efekte pozitive për shtrirjen e sovranitetit në atë pjesë”, tha ai.