Selimi: ‘Vetëvendosja’ do të votojë pro shfuqizimit të Speciales

E publikuar: 04/01/2018 08:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Rexhep Selimi, deputet i lëvizjes “Vetëvendosje” në Kuvendin e Kosovës, thotë se partia së cilës i përket ai do të votojë pro shfuqizimit të Ligjit për Gjykatën Speciale. Sipas tij, nismën për zhbërjen e Gjykatës Speciale do të duhej ta merrte Qeveria ose presidenti

Lëvizja “Vetëvendosje” do të votojë pro shfuqizimit të Ligjit për Gjykatën Speciale.

Kështu ka bërë të ditur gjatë një interviste për gazetën Zëri” deputeti i lëvizjes “Vetëvendosje”, Rexhep Selimi.

Mirëpo, ani pse lëvizja “Vetëvendosje” ka vendosur ta përkrahë zhbërjen e kësaj gjykate, ata javë më parë nuk morën pjesë në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, e thirrur pikërisht për këtë çështje, për të cilën Selimi ka thënë se mbi 40 nënshkrime të deputetëve janë më të rëndësishme sesa mbledhja e Kryesisë (qoftë edhe pa kuorum) për ta thirrur seancën.

Selimi tha përi Zërin se nismën për zhbërjen e Gjykatës Speciale do të duhej ta merrte Qeveria ose presidenti, por, sipas tij, ata po shfrytëzojnë “individë” e rrugë të tjera për këtë gjë.

Selimi tha se vota pro e lëvizjes “Vetëvendosje” për shfuqizimin e Gjykatës Speciale nuk po bëhet për mbrojtjen e individëve të caktuar, por për qytetarët e Kosovës.

Ndërkohë, kërkesa për shfuqizimin e Speciales ka ardhur më 22 dhjetor të vitit që lamë pas nga 43 deputetë të partive në pushtet (të cilët kishin mbledhur nënshkrimet e tyre).

Pavarësisht kësaj, seanca ende nuk është caktuar pasi më 22 dhjetor Kryesia kishte dështuar ta mbajë mbledhjen pas dështimit dy herë radhazi, ndërkohë që Kuvendi është akoma në pushim./zeri.info/