Selimi: Krahë për krahë në luftë, krahë për krahë edhe për Ushtrinë

E publikuar: 24/10/2017 12:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Forca e Sigurisë së Kosovës e ka përmbush mandatin, ka arritur kapacitetet operacionale dhe është e gatshme për transformimin në ushtrinë e Kosovës, që nga viti 2014.

Kështu tha sot ministri i FSK-së Rrustem Berisha, në Komisionin për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së, ku ka raportuar lidhur me prioritetet dhe sfidat e kësaj ministrie.

Berisha tha se janë të fokusuar në vendosjen e politikave strategjike, e qëllim kanë që FSK t’i mirëmbajë kapacitetet e veta , t’i avancojë ato dhe t’i zhvillohet në të ardhmen, si forcë profesionale e multietnike, e cila do të jetë në të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Si prioritet kryesor Berisha tha se e kanë edukimin profesional të burimeve njerëzore brenda FSK-së. Thellimin e bashkëpunimit me shtetet rajonale si dhe integrimin e komuniteteve jo shumicë, e në veçanti të komunitetit serb, i cili tashmë ka 103 pjesëtare në radhët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“ Jemi në rrugë të mirë. FSK ka ngrit një komision për transformimin dhe modernizimin e FSK-së dhe ai komision ka kryer shumë punë të mëdha. Ne si FSK do të jemi në mbështetje të politikës, për trasformim. Por siç dihet kjo është çështje politike. Është tepër me rëndësi që ta kemi një koordinim të mirë ndër institucional. Një bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar dhe në të ardhmen ta kemi dhe një përafrim me komunitetin serb. Sepse kjo është në të mirën e të gjithëve. Në e dimë që në të kaluarën ka ndodhur një luftë, por ajo është e kaluar. Ne duhet të fokusohemi drejtë të ardhmes. Sepse kjo është interes dhe i joni dhe i gjithë qytetarëve të Kosovës. Transformimi i FSK-së është në të mirë të gjithë qytetarëve. Dhe ne këtë mesazh duam që në të ardhmen ta përcjellim tek çdo qytetar i Kosovës. Me rëndësi është që komunitetit që është pranuar 163 minoritete, tre prej tyre janë dhe nga veriu i Kosovës, që është një hap i mirë dhe pozitiv”, tha Berisha.

Ndërkaq anëtari i këtij komisioni nga radhët e VV-së Rexhep Selimi tha se FSK do ta ketë mbështetjen e tyre, për avancimin e kapaciteteve ushtarake të Kosovës. Ndërsa kërkoi nga ministri që ta kenë qasjen e duhur, në çështjet buxhetore, që kanë të bëjnë me FSK -në e sotme dhe procesin e transformimit të saj në ushtri.

“Është i nevojshëm trajtimi krejt ndryshe buxhetor i kësaj teme. Për shkak se pavarësisht retorikës politike, kur ne ta shohim që në buxhet nuk është paraparë rritje e këtij buxheti atëherë mbetet thjeshtë retorikë. Mendoj që nga buxheti do të duhej të fillohej serioziteti ose veprimet praktike për avancimin e kësaj force. Tash ndoshta nuk është personale, por përvoja jonë e përbashkët na bën që të kemi të drejtën, që t’iu shtyjmë sa më shumë në rrugën e avancimit të kapaciteteve ushtarake. Ne njihemi që nga lufta . Në luftë kemi qene krahë për krahë. Ne parlament jemi ballë për ballë. Por kur të vjen puna për formimin e ushtrisë, prapë jemi krahë për krahë. Dhe kjo besoj që është e rëndësishme për ju. Atë çfarë ne iu garantojmë, iu garantojmë një mbikëqyrje të rreptë, e cila ndoshta ndonjëherë do të iu bezdis dhe është mirë që iu bezdis”, tha ai.

Ministri Berisha duke iu përgjigjur pyetjeve për buxhetin e FSK-së tha se nuk është buxheti të cilin e presin, por se me ndryshimin e vendimit politik për transformimit në ushtri, mund ta vendosin në zbatimin rekomandimin e rishikimit strategjik të sektorit të

sigurisë

“ Sa i përket rishikimit të buxhetit në këtë drejtim i kemi bërë ato kërkesat tona. Dje e kemi pasur dhe dëgjimin buxhetor për vitin fiskal 2018 me Ministrinë e Financave. Realisht nuk është ai buxhet të cilin ne e presim . Sepse sipas rishikimit strategjik të sektorit të sigurisë, është paraparë që çdo vit fiskal të rritet buxheti për 5 milion ëeuro. Por përgjigja e ministrit, është se tani për tani është ky buxhet dhe në momentin kur ndryshon vendimi politik për transformimin e FSK-së, pastaj mund ta vendosim në zbatimin rekomandimin e rishikimit strategjik të sektorit të sigurisë. . Në këtë buxhetin 2018 kemi rritje rreth 3 milion. Për buxhetit e 2017 kanë qenë diku 51 milion e 35 mijë euro. Tash është propozimi që kjo të jetë diku 54 milion”, tha ai.

E zëvendëskryetar i dytë i këtij komisioni nga lista serbe Zoran Mojsiloviq tha se integrimi i serbëve të veriut në FSK, është çështje politike.

“ Sa i përket integrimit të serbeve ne FSK patët theksin në veriun e Kosovës. Kjo do të jete pjesë e një procesi politik, çdo gjë me veriun është pjese e procesit politik. Është me lehte qe ne këtu me pozitën dhe opozitën, ju me këta do të gjeni zgjidhje shume me lehte se jeni shokë lufte. Por shpresoj që do te gjejë një zgjidhje të përbashkët . Një zgjidhje pozitive do të jetë e pranueshme për të gjithë“, tha ai.