Sejdiu: Nuk do ta votoj kurrë PAN-in

E publikuar: 21/08/2017 00:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nënkryetari i AKR-së, Korab Sejdiu, ka sqaruar se autorizimi që sot i dha Kuvendi i AKR-së kreut të kësaj partie për të gjetur zgjidhje jashtë kornizave të koalicionit LAA, nuk do të thotë se partia do të bashkëpunojë me koalicionin PAN.

Ai ka siguruar se ai personalisht nuk do të votojë koalicionin PAN në asnjë rrethanë, duke thënë se nuk beson se ky koalicion është në të mirë të vendit.

Ai u ka bërë thirrje LDK-së dhe VV-së, siç është shprehur, të tejkalojnë interesat e ngushta personale dhe partiake dhe të bashkëpunojnë me shumicën shqiptare në Kuvend.

Reagimi i Sejdiut vjen pas raportimit të Kosovapressit, e më pas edhe të mediave tjera se ai do të qëndronte në AKR edhe sikur kjo të shkojë përkrah PAN-it.

“Në pamundësi që t’ju përgjigjem të gjithëve individualisht (e kuptoj plotësisht shqetësimin tuaj), e pashë të udhës që të jepi një sqarim lidhur me Kuvendin e AKR-së që u mbajt sot. Kuvendi i AKR-së ka autorizuar Presidentin Pacolli, Kryesinë e ngushtë, dhe deputetët nga radhët e AKR-së që të angazhohen për gjetjen e një zgjidhjeje të krizës politike edhe jashtë kornizës aktuale, ku deri tani në relacion me palë të treta jemi përfaqësuar ekskluzivisht nga partneri i ynë në LAA”, ka thënë Sejdiu.

“Edhe pse po e shoh që po paraqitet/kuptohet si i tillë, sot NUK është marrë vendim që AKR t’i bashkëngjitet Koalicionit PAN (së paku, ashtu unë e kuptoj). Në fakt, edhe në fjalimin tim para Kuvendit, e kam bërë më se të qartë, se një rrugëtim i AKR-së me një grupacion që përfaqëson pakicën e votuesve shqiptarë dhe që është peng i Listës Serbe (të dirigjuar nga Beogradi) nuk është as në të mirë të vendit, as në të mirë të qytetarëve, e definitivisht nuk është në të mirë të AKR-së”, ka shtuar më tej ai.

“Unë siguroj të gjithë juve edhe një herë se NUK do të votoj Koalicionin PAN në strukturën aktuale në asnjë rrethanë, sepse nuk besoj që ky koalicion i bënë mirë Kosovës dhe qytetarëve të saj. Përgjegjësinë e deputetit e kam marrë me qëllim që çdo vendim ta marr duke pasur si pikënisje interesin më të mirë të qytetarëve dhe Republikës së Kosovës. Vota për Koalicionin PAN nuk është në të mirë të qytetarëve dhe Kosovës, dhe rrjedhimisht, nuk e bëjë kurrë. Thërras edhe një herë LDK-në dhe LVV-në që të tejkalojnë interesat e ngushta personale dhe partiake, dhe të bashkojnë shumicën shqiptare në Kuvend – si dy parti të mëdha, keni përgjegjësi morale dhe kombëtare për të vepruar në këtë drejtim. Vetëm një bashkim i tillë ka legjitimitet nga populli dhe garanton qeverisjen që ky popull e meriton”, ka thënë Sejdiu.