Scholz nga Beogradi: Qëndrimi gjerman për Kosovën është i qartë, e rëndësishme të ketë lëvizje në dialog

E publikuar: 10/06/2022 18:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, kancelari gjerman Olaf Scholz, i pyetur për njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë, u përgjigj se qëndrimi gjerman për këtë çështje është i qartë dhe se tani është e rëndësishme të bëhet përparim.

“Shpresoj se do të marrim një raport për arritjen e përparimit, hap pas hapi, të dyja palët duhet të japin kontributin e tyre dhe askush të mos i bllokojë takimet”, tha shkurt ai.

I pyetur për lodhjen e publikut serb nga procesi i anëtarësimit në BE, Scholz tha se procesi i anëtarësimit duhet të përshpejtohet.“Sa i përket shpejtësisë së procesit të anëtarësimit në BE, kjo varet nga shumë faktorë, para së gjithash nga ajo se sa ambicioze janë vendet që duan të anëtarësohen dhe sa po punojnë për këtë çështje”, tha ai.

Kancelari gjerman theksoi se negociatat e anëtarësimit kanë ndryshuar shumë vende dhe se Serbia mund të mbështetet në Gjermaninë.Ai tha se e gjithë Evropa është e preokupuar me luftën në Ukrainë dhe se është e rëndësishme që të gjithë të solidarizohen me Ukrainën.

“Një pjesë e asaj që kemi bërë është vendosja e sanksioneve dhe është e rëndësishme që të bëjmë sa më shumë që të jetë e mundur që vendet e tjera t’i bashkohen sanksioneve, në mënyrë që Ukraina të mbrojë sovranitetin dhe integritetin e saj territorial”, theksoi lideri gjerman.

Scholz tha gjithashtu se pret që vendet kandidate t’i bashkohen sanksioneve dhe se Gjermania mbështet vazhdimin e përmirësimit të sundimit të ligjit dhe lirisë së mediave.

Më pas, kancelari gjerman i bëri thirrje dhe inkurajoi Beogradin dhe Prishtinën që të lidhin marrëveshje të vogla për të vendosur normalizimin e marrëdhënieve.“Ne gjithashtu mbështesim punën e Miroslav Lajçak. Ne folëm gjithashtu për Bosnjën dhe dua të them se nuk ka kuptim të rrezikohet e ardhmja e këtij vendi dhe shpresoj se zgjedhjet e planifikuara atje do të mbahen”, shtoi ai.

Scholz tha se ai dëshiron të inkurajojë të gjithë faktorët politikë në Serbi që të punojnë për anëtarësimin në BE dhe se ai përpiqet që kjo të ndodhë derisa ne të gjithë jemi gjallë.“Bashkimi Evropian do të jetë i suksesshëm vetëm si tërësi dhe do të ishte mirë nëse pjesë e tij do të ishin edhe vendet e Ballkanit Perëndimor”, përfundoi Scholz, përcjellë Gazeta Blic.