Sasia e sekuestruar e drogës në Zveçan në vlerë mbi 1 milion euro

E publikuar: 19/04/2022 23:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas shkatërrimit të një laboratori ku kultivohej droga në komunën e Zveçanit, Policia e Kosovës ka njoftuar se sasia e sekuestruar e marihuanës dhe bimëve të kanabisit e kalon vlerën një milionëshe.

Lajmin e kishte bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se lidhur me rastin janë arrestuar katër persona.

“Vlerësohet se sasia e sekuestruar e marihuanes dhe bimëve të kanabisit e kalon vlerën e shitjes në treg mbi një milion euro, ndërsa pajisjet të cilat janë përdorur për mbjelljen, rritjen dhe kultivimin e kanabisit e kalojnë vlerën e mbi 450 mijë euro. Bëhet fjalë për një grup të strukturuar kriminal të cilët kanë vepruar në shitjen e narkotikeve në Republikën e Kosovës dhe në Serbi”, thuhet në njoftim.

Përmes një komunikate për media, Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë kontrollit në brendi të shtëpisë, në katin e parë kishte dy dhoma të rregulluara me ndriçim, ventilim dhe saksi dhe një dhomë në të cilën kishte bimë të dyshuara narkotike kanabis duke u tharë dhe pothuaj të gatshme për treg.

“Në katin e dytë ndodhej një dhomë me bimë të dyshuara të kanabisit duke u tharë po ashtu të gatshme për shitje, tri dhoma me bimë të reja të dyshuara si kanabis, një dhomë me ndriçim dhe saksi, një dhome vetëm me saksi të grumbulluara dhe një dhomë e destinuar si depo”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit në lidhje me rastin është njoftuar prokurori kujdestar me urdhër të të cilit katër të dyshuarit e arrestuar pas dhënies se deklaratave dërgohen në ndalim për 48 orë.

Nga kompetentët janë konfiskuar dëshmitë si 15 kilogram substancë narkotike, 808 bimë të dyshuara kanabis, një mijë e 531 bimë të reja të dyshuara si kanabis, gjashtë telefona mobil, 150 euro para të gasthme, rreth tre mijë saksi për kultivim e të tjera.

Sipas njoftimi të policisë, deri në tërheqjen e plotë të dëshmive njësitet relevante nga stacioni policor Zveçan mbesin në lokacion, përderisa rasti mbetet nën hetime të mëtejme nga antidroga e Policisë së Mitrovicës Veri.