Salih Mustafa e lëshon sërish seancën, nuk kthehet pas pushimit të drekës

E publikuar: 20/09/2021 16:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Salih Mustafa ndaj të cilit ka nisur procesi i parë gjyqësor në Hagë, sërish e ka lëshuar sallën e gjyqit.

Ish eprori i UÇK-së nuk është kthyer në gjykatore pas pushimit të drekës, gjë që është arsyetuar nga mbrojtësi i tij, e aprovuar edhe nga trupi gjykues. Megjithatë kryetarja e këtij paneli që po e gjykon çështjen e Mustafës, Mapi Feld Folia ka thënë se është e nevojshme që nesër në mëngjes, kur edhe vazhdon procesi, Mustafa është e nevojshme të jetë i pranishëm, njofton Klankosova.tv.

Duke e lëshuar seancën, Salih Mustafa nuk ka pranuar të vazhdojë të dëgjojë dëshminë e dëshmitarit të parë që ka nisur mëngjesin e sotëm.

Aktualisht dëshmitari w03593 po merret në pyetje nga përfaqësuesi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe më herët gjatë ditës deklaroi se i akuzuari pati tentuar edhe ta vriste me një revole e cila për rrethana teknike nuk ishte shkrepur, si dhe ka rrëfyer mënyrën si u kap, siç pretendon ai nga ish ushtarë të UÇK-së dhe u maltretua në një qendër ndalimi në fshatin Zllash.

Pjesa më e madhe e kësaj dëshmie është dhënë larg syve e veshëve të publikut, pra në seancë private dhe është bërë e ditur shkarazi se i njëjti dëshmitar gjatë vitit 2006 ka bashkëpunuar edhe me UNMIK-un.