Sali Berisha për taksën në “Rrugën e Kombit”: Edi Rama i vuri gjobë shqiptarëve

E publikuar: 25/03/2018 15:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka komentuar çështjen e tarifës që pritet të vendoset për kalimin përgjatë “Rrugës së Kombit”.

Sipas tij, taksa që do të paguhet prej shumës 10 euro për hyrje-dalje, është e turpshme.

Berisha në një prononcim për “Indeksonline” ka thënë se Shqipëria nga qytetarët e Kosovës përfiton mbi 300 milionë euro.

“Unë mendoj se Rruga e Kombit për misionin e saj të madh duhet të ishte rruga e vetme në të cilën kurrë nuk duhej vendosur taksë apo tarifë. Kjo është taksë e turpshme që shqiptarët e Kosovës duhet të paguajnë për të vizituar Shqipërinë dhe anasjelltas. mendoj se kritikat janë shumë me vend. Padyshim Rruga e Kombit duhet mirëmbajtur por disa të dhëna tregojnë se Shqipëria siguron nga kjo rrugë mbi 300 milionë euro në vit nga qytetarët e Kosovës”, ka thënë Berisha.

Ai ka deklaruar se është kryeministri aktual, Edi Rama ai që u ka vendosur një gjobë shqiptarëve dhe se për këtë taksë është fajtor vetëm ai.

“Në vend që të përdorë një pjesë të këtyre të ardhurave për mirëmbajtjen e rrugës, Edvin Kristaq Rama ju vendosë tani një gjobë të re shqiptarëve që duan të vizitojnë Shqipërinë dhe anasjelltas. Lidhur me çmimin gjykoj se është absurd, sepse sipas meje asnjë taksë nuk duhej vendosur. Përgjegjës dhe fajtor është vetëm Edi Rama kryeministri më apatrid në historinë e kombit shqiptar. Ftoj shqiptarët që sa herë të paguajnë taksën, Edvin të mos harrojnë se kjo taksë është turpi i atij që e vendosi”, është shprehur Berisha.

Ndryshe, mediat shqiptare kanë raportuar se taksa do të fillojë të praktikohet nga data 15 prill e këtij viti.

Mediat në Shqipëri raportojnë se taksa e rrugës karakterizohet dhe taksohet sipas përllogaritjes se klauzolës se kontratës se koncesionit, në varësi të klasës së automjetit në bazë të klasifikimit të Automjeteve, përcjellë Indeksonline.

Klasa 1 motorr – 2.5 Euro
Klasa 2 veturë – 5 Euro
Klasa 3 autobus & kamioncine – 11.2 Euro
Klasa 4 kamion i mesëm – 16.2 euro
Klasa 5 kamion i rëndë – 22.5 euro

/Indeksonline/