Rusia e Ukraina arrijnë marrëveshje për rifillimin e eksporteve të grurit

E publikuar: 22/07/2022 17:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Share:

Ukraina dhe Rusia kanë arritur marrëveshje që lejon rifillimin e eksporteve nga portet e Ukrainës të Detit të Zi.

Për këtë marrëveshje, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha se është një përparim i madh diplomatik që synon lehtësimin e krizës globale të ushqimit të shkaktuar nga lufta.

Kjo vjen pas muajsh negociatash midis Ukrainës dhe Rusisë të ndërmjetësuara nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara.

“Sot, ka një fener në Detin e Zi. Një fener shprese, një fener mundësie, një fener lehtësimi në një botë që ka nevojë për të më shumë se kurrë”.

“Promovimi i mirëqenies së njerëzimit ka qenë forca lëvizëse e këtyre bisedimeve. Pyetja nuk ka qenë se çfarë është e mirë për njërën anë apo tjetrën. Fokusi ka qenë në atë që ka më shumë rëndësi për njerëzit e botës sonë. Dhe le të mos ketë asnjë dyshim se kjo është një marrëveshje për botën”, është shprehur Guterres, shkruan CNN, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, ai tha se marrëveshja e sotme do të sjellë lehtësim për vendet në zhvillim dhe do të ndihmojë në stabilizimin e çmimeve globale të ushqimit.

“Ne llogarisim te qeveria e Turqisë që të ruajë rolin e saj kritik në vijim,” tha ai, duke shtuar se OKB-ja do të mbetet “nga afër e përfshirë në punën për suksesin e marrëveshjes”.

“Kjo është një marrëveshje e paprecedentë midis dy palëve të përfshira në konflikt të përgjakshëm. Por ai konflikt vazhdon. Njerëzit po vdesin çdo ditë. Luftimet janë të ndezura çdo ditë”.

“Fanari i shpresës në Detin e Zi po shkëlqen sot, falë përpjekjeve kolektive të shumë njerëzve. Në këto kohë të vështira dhe të trazuara për rajonin dhe globin tonë, le që ai fener të udhëheqë rrugën drejt lehtësimit të vuajtjeve njerëzore dhe sigurimit të paqes”, shtoi ai.

Kujtojmë se ditëve të fundit nëpër shumë media kanë qarkulluar pamje ku ushtarët rusë qëllimshëm kanë djegur grurin ukrainas, teksa lufta atje po hyn në muajin e shtatë.