Rruga e vështirë e VV-së për ta shkarkuar Dërgutin

E publikuar: 20/04/2018 14:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Aida Dërguti nuk e ka ndërmend të jap dorëheqje nga pozita e saj edhe pas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje që ajo ta lirojë vendin.

Dërguti që aktualisht është pjesë e Grupit të Deputetëve të Pavarur që u shkëputen nga VV-ja është e vendosur të qëndrojë aty deri në fund ose deri në shkarkimin e saj të mundshëm.

E shkarkimi i Dërgutit kërkon hiq më pak se 80 vota të deputetëve të Kuvendit të Kosovës që Lëvizja Vetëvendosje vështirë që mund t’i siguroi.

Sekretari i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi ka konfirmuar për Indeksonline se Lëvizja Vetëvendosje ka parashtruar kërkesën për shkarkimin e nënkryetares Dërguti.

“Po ka kërkesë”, ka thënë shkurt Krasniqi duke mos dashur që të komentojë më tutje këtë proces.

Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të Grupit të Deputetëve të Pavarur, Dardan Sejdiu ka thënë se në seancën e radhës pritet që të diskutohet kërkesa e Vetëvendosjes rreth largimit të Aida Dërgutit nga posti i nënkryetares.

Mirëpo, Sejdiu në konferencën e djeshme për media dha sinjale negative se Dërguti mund ta lëshoj postin të cilin e fitojë sa ishte pjesë e LVV-së, shkruan Indeksonline

“Në seancën plenare 3 maj do të diskutohet posti i nënkryetares së Aida Dërgutit si dhe ndarja e posteve të antërave të komisioneve edhe për deputetët e grupeve të pavarur. Kemi raste të tilla edhe në të kaluarën”, ka thënë ai.

Ndryshe ditë më parë në një prononcim për Indeksonline, Albert Krasniqi nga Institutit Demokratik i Kosovës pati sqaruar se pozita e Dërgutit është e lidhur me rezultatet e zgjedhjeve por që në rast se Dërguti nuk jep dorëheqje, procedura e shkarkimit kërkon 80 vota të deputetëve.

“Nënkryetari i Kuvendit i takon Vetëvendosjes, pasi këto pozita janë të lidhura me rezultatet e zgjedhjeve. Nëse znj. Dërguti nuk jep dorëheqje, procedura e shkarkimit kërkon 80 vota të deputetëve”, kishte deklaruar Krasniqi.

Por duhet shtuar se nëse Kuvendi voton kundër shkarkimit të saj, çështja në fjalë mund të përfundojë edhe në Gjykatën Kushtetuese.

Lëvizja Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës tashmë nuk ka 31 deputetë që kishte në fillim pasi që nga ndarja e Grupit të Deputetëve të Pavarur këta të fundit kanë vetëm 19 deputetë, që sigurisht do të iu bëjë më të vështirë procesin e marrjes së votave për largimin e Dërgutit nga kjo pozitë, nëse nuk përkrahen nga deputetët e partive të tjera si pjesë e Parlamentit të Kosovës.

Indeksonline ka tentuar të marrë një përgjigje lidhur me qëndrimin e fundit të Dërgutit nëse ka ndryshuar mendje dhe do të pranojë të tërhiqet, por kjo e fundit nuk ka dashur të përgjigjet./Indeksonline/