Rritet rreziku për pastrimin e parave në Shqipëri, ja ku radhitet Kosova

E publikuar: 14/09/2021 09:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Indeksi i Bazelit ka shfaqur nivelin e rrezikut për pastrimin e parave në mesin e 110 vendeve të botës.

Shqipëria është radhitur e 72-ta këtë vit me një nivel pikësh prej 5.72, ku tregohet se rreziku është rritur pasi që një vit më parë ky shtet ishte në vendin e 44-t me një nivel pikësh prej 5.69.

Në raport me rajonin, Shqipëria ka nivelin e pikëve më të larta për rrezikun që paraqet për shpërlarjen e parave, Mali i Zi ka 4.57 pikë, Kosova 4.56 pikë, Maqedonia e Veriut 5.23 pikë, Serbia 5.27 pikë dhe Sllovenia 3.75 pikë, transmeton lajmi.net.

Në vendin e parë në botë për sa i takon rrezikut më të ulët është renditur Estonia, ndërsa pas saj Andorra dhe Finlanda.

Ky indeks është në të njëjtën linjë me situatën e përgjithshme të përshkruar më herët edhe nga organizma ndërkombëtare si Moneyval apo FAFT të cilët në rishikimin e fundit vlerësuan se Shqipëria edhe pse kishte bërë disa rregullime nuk kishte arritur të përmbushte plotësisht detyrat e ngarkuara.

Indeksi i Kundër Pastrimit të Parave i Bazelit është një renditje e pavarur dhe mjet vlerësimi mbi rrezikun e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit. I prodhuar nga Instituti i Bazelit për Qeverisje që nga viti 2012 mundëson vlerësime holistike mbi rrezikun e pastrimit të parave bazuar nga të dhënat që merren nga 17 burime publike të tilla si Task Forca për Veprim Financiar, Transparency International, Banka Botërore dhe Forumi Ekonomik Botëror.

Në shkurt të vitit 2020, Shqipëria u fut sërish në listën gri të pastrimit të parave, nga e cila kishte dalë në vitin 2015. Vlerësim u dha në atë kohë nga FATF e Moneyval, që është një mekanizëm i përhershëm i Këshillit të Evropës që ka detyrën të vlerësojë zbatimin e standardeve në luftën kundër pastrimit të parave dhe krimit të organizuar. Në këtë listë përfshihen juridiksionet që kanë mungesa strategjike në parandalimin e pastrimit të parave dhe krimit të organizuar dhe rrezik të lartë si dhe janë nën monitorim të shtuar.