Rohde: Refuzimi i planit franko-gjerman, nuk sjell sanksione as shpërblime

E publikuar: 03/11/2022 22:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Jorn Rohde

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka folur për planin franko-gjerman sa i përket dialogut Kosovë-Serbi duke thënë se propozimet duhet të pranohen nga partnerët në bisedime.

“Ne japim propozime dhe ato mund të merren ose kundërshtohen “, tha Rohde, duke shtuar se në dialog, mes dy shteteve, duhet të arrihen kompromise në të mirë të të dyja palëve, pra të qytetarëve.

Sipas tij, ky është mesazhi gjerman, se duhet të bëhen kompromise.

“Ne do të japim ndihmën e përkrahjen tonë që edhe marrëveshjet e mëhershme të zbatohen, sikurse sa i përket targave, apo Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”, tha ambasadori i Gjermanisë në Kosovë në RTK.

Sipas tij, Kosova ka marrë obligime dhe ato duhet të zbatohen.

“Këtë ua kemi thënë të gjithëve”.

I pyetur se nëse nuk ka kompromise në dialogun Kosovë-Serbi, a do të ketë sanksione, diplomati i Gjermanisë në Kosovë e mohoi një gjë të tillë.

“Ne nuk jemi këtu ajo instanca që duhet ta dënojë dikë me sanksione”, u shpreh ai.

Rohde tha se Gjermania mund të thotë se nëse nuk merren këto propzime, atëherë nuk do të ketë sanksione, por duhet çuar përpara rajonin.

“Sansksione ka vetëm si në rastin e Rusisë”, tha Rohde, duke shtuar se nëse disa hapa të caktuar nuk ecin përpara, atëherë nuk ka shpërblime, por megjithatë nuk ka sanksione.

Ai tha se nuk mund të flasë më shumë për planin franko-gjerman sepse për këtë dueht pyetur kryeministrin e Kosovës, Kurti e presidentin e Serbisë, Vuçiq.

“Kjo është çështje e konfidencialitetit”.

Ai tha se gjithçka që Gjermania e Franca bëjnë, është të kontribuojnë që këtë konflikt ta zgjidhin.