Rikthehet “Korridori 8” – Rama, Borisov, Zaev takim me “BB” në dhjetor, kërkojnë financim

E publikuar: 04/10/2017 12:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ai bullgar Boyko Borisov dhe ai maqedonas, Zoran Zaev do të jenë përballë një paneli të Bankës Botërore për të negociuar projektin e Korridorit 8.

Ky takim, i paprecedentë për shkak të temës dhe modalitetit, pritet të mbahet në muajin Dhjetor të këtij viti.

Deklaratën e bëri kryeministri bullgar, i cili duket se është edhe iniciatori i takimit. Ndër të tjera, ai shtoi se, ky takim ka për qëllim që, tre kryeministrat të kërkojnë mënyrën e financimti të projektit të korridorit 8, si për pjesën rrugore, ashtu edhe për atë hekurudhore.

Ky projekt do të lidhë tre shtetet me njëra tjetrën. Borisov shtoi se, vendet e Ballkanit kanë humbur shumë kohë në përpjekjen për t`u bërë të mëdhenj, por se kjo gjë e ka kthyer në rajonin më të varfër të europës.

“Ja përse nuk duhet të fajësojmë Brukselin”-shtoi ai.

Projekti i korridorit 8, është një projekt që zvarritet prej kohësh, dhe synon që të lidhë portin e Durrësit me atë të Varnës në Bullgari duke kaluar mes përmes Maqedonisë. Korridori tetë, është një nga dhjetë “korridoret trans-europiane” të cilat janë konceptuar për të lehtësuar shkëmbimin e mallrave, njerëzve, naftës dhe furnizimeve me energji midis vendeve të BE-së, shteteve të Ballkanit që kanë dalje në Detin e Zi dhe Detin Kaspik dhe shteteve të Azisë Qendrore.

Sipas këndvështrimit evropian këto korridore do të kontribuojnë edhe në stabilitetin e një rajoni që ka qenë gjithmonë tepër i trazuar, veç anës ekonomike.

Realizimi i kësaj vepre paraqet vështirësi të konsiderueshme në aspektin e realizimit të saj.

Trajektorja rrugore has dy pengesa madhore, përkatësisht ajo ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë dhe ajo midis Maqedonisë dhe Bullgarisë, të cilat gjenden në një terren malor dhe të vështirë./SCAN/