Rikthehet ideja e ndryshimit të kufijve, mediumi slloven publikon letrën për ndarje të Bosnjës e bashkim Kosovë-Shqipëri

E publikuar: 15/04/2021 10:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Mediumi slloven Necenzurirano.si ka publikuar sot një dokument që sipas tyre është dokument diplomatik jozyrtar që flet për ridefinim të kufijve në Ballkan, konkretisht shpërbërjen e Bosnje e Hercegovinës, aneksimin e Republikës Serbe nga Serbia dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Sipas këtij mediumi një dokument jozyrtar është dërguar nga kryeministri slloven Janez Jansa në Bruksel i cili flet për kufinj të ri në shtetet e Ish-Jugosllavisë. Por, askush deri më tani nuk e ka konfirmuar zyrtarisht që presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian, Charles Michel e ka pranuar një dokument të tillë nga Sllovenia zyrtare, transmeton Gazeta Express.

Por ky dokument diplomatik jozyrtar që parasheh shpërbërjen e Bosnje e Hercegovinës, aneksimin e Republikës Serbe nga Serbia dhe bashkimin e Kosovës me Serbinë ekziston, të cilin e ka publikuar ky medium slloven.

Tek pjesa e dokumentit jozyrtar ku flitet për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë përmendet se në Kosovë 95% e popullatës dëshirojnë të bashkohen me Shqipërinë dhe se situatë e ngjashme është edhe në Shqipëri.

“1.) Bashkimi i Kosovës dhe i Shqipërisë. “Në Kosovë, 95 përqind e popullsisë dëshiron të bashkohet me kombin vendas shqiptar të Shqipërisë. Situata është e ngjashme në Shqipëri. Kufiri midis Shqipërisë (një anëtar i NATO-s) dhe Kosovës është praktikisht inekzistent. Pjesa Serbe e Kosovës do të marrë status special – duke ndjekur shembullin e Tirolit të Jugut. Është një provincë autonome në Italinë veriore, ku shumica e popullsisë është gjermanishtfolëse”, thuhet në dokument.

Sipas informacioneve të kësaj media dokumenti i titulluar “Ballkani Perëndimor- rruga përpara” është pranuar në zyrën e presidentit Charles Michel në shkurt, dhe nuk dihet zyrtarisht se kush e ka shkruar.

“Sipas burimeve tona, sigurisht që nuk është krijuar në Ministrinë Sllovene të Punëve të Jashtme. Një pjesë e përmbajtjes së tij supozohet të jetë e shkruar në lidhje me disa informacione në Budapest. Sidoqoftë, në qarqet diplomatike të Brukselit po i referohen si një dokument “slloven”, pasi kabineti i kryeministrit Jansa thuhet të ketë marrë pjesë në dërgimin e tij në adresa të ndryshme. Meqenëse është një dokument diplomatik jozyrtar që synon të komunikojë pozicione dhe iniciativa të ndryshme pa karakter zyrtar, ai nuk ka as nënshkrim. Ai erdhi tek Charles Michel përmes postës zyrtare diplomatike, kështu që ekzistenca e tij mund të mohohet publikisht në çdo kohë”, thuhet në artikullin e publikuar të mediumit slloven.