Reshitaj: Po punojmë që ta ndërpremë përdorimin e thëngjillit në Kosovë

E publikuar: 30/10/2017 14:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Objektivat e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit hapësinor, janë plotësimi i kornizës ligjore dhe zbatimi i saj, në fushën e mjedisit, planifikimit hapësinor, ndërtimit, banimit dhe të drejtës pronësore.

Kështu pohoi ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit hapësinor Albena Reshitaj  para Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, ku raportoi  lidhur me planin dhe prioritetet e Ministrisë të cilën ajo udhëheq.

Ajo si shqetësim paraqiti  mos funksionalizimin e plotë të dy agjencive, atë të Mjedisit dhe Kadastrës. Ndërsa tha se meqenëse Kosova vazhdon të përballet me probleme  dhe sfida të konsiderueshme të ndotjes së ajrit dhe mungesës së menaxhimit të duhur të mbeturinave, ata do të punojnë në përmirësimin e kësaj gjendje, pasi që po punojnë që të ndërpritet përdorimi i thëngjillit në shkolla dhe biznese, si dhe të bëjnë një menaxhim të qëndrueshëm të mbeturinave, të cilat mund të shndërrohen në gaz, energji dhe ngrohje qendrore.  Ajo po ashtu theksoi se do të ketë dhe një kampanjë sensibilizuese  për qytetarët, sa i përket nivelit të ndotjes së ajrit. E kryetari i komisionit Daut Haradinaj tha se shqetësimet e qytetarëve janë të mëdha, sidomos për ligjin e legalizimit.

Anëtari i këtij komisioni nga radhët e lëvizjes Vetëvendosje Liburn Aliu  tha se ndërtuesi më i madh pa leje është Qeveria, e jo qytetarët.

Deputetja e PDK-së, Ganimete  Musliu, tha se gurthyesit janë degraduesit me të mëdhenj të ambientit.

E ministrja Reshitaj e cila raportoi para këtij komisioni, ndër gjërat që ajo ka bërë me të marrë postin e ministres, tha se është  dhe ndërprerja e një kontrate në vlerë prej 1.5 milion euro.

Këtë ajo tha se e ka bërë me qëllim që të menaxhojë sa më mirë buxhetin,  brenda ministrisë, duke mënjanuar kontratat e jashtme të panevojshme, milionëshe.