Reperi rus kryen vetëvrasje për t’ju shmangur rekrutimit nga Putin

E publikuar: 04/10/2022 23:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ivan Vitalievich Petunin u hodh nga një ndërtesë apartamentesh

Një reper rus 27-vjeçar ka bërë vetëvrasje për të shmangur rekrutimin nga presidenti rus Vladimir Putin , pasi më parë kishte thënë se nuk ishte gati të vriste për asnjë ideal.

Sipas New York Post , Ivan Vitalievich Petunin (i njohur edhe me emrin skenik “Walkie”) u gjet i vdekur pasi u hodh nga një ndërtesë apartamentesh në qytetin e Krasnodarit . Vdekja e reperit u konfirmua nga e dashura dhe nëna e tij.

Sipas mediave vendase, i riu rus kishte filmuar veten duke dhënë një mesazh, i cili u publikua në llogarinë e tij në Telegram . “Nëse e shikoni këtë video, atëherë nuk jam më gjallë”, dëgjohet duke thënë 27-vjeçari në rusisht.

“Të vrasësh qoftë në kontekstin e luftës apo jashtë saj është diçka që nuk mund ta bëj. Unë mendoj se mobilizimi i pjesshëm do të bëhet i plotë brenda pak ditësh”, ka vijuar më tej ai.

Sipas New York Post, reperi rus kishte shërbyer më parë në ushtri dhe ishte shtruar në një spital psikiatrik. Në një letër drejtuar të dashurës së tij, Petunin kishte shkruar se, për shkak të “referendumeve” ruse që çuan në aneksimin e katër rajoneve të Ukrainës javën e kaluar, të gjithë do të përfundojnë në vijën e pare të luftës.

Klan News