Reduktimi i gazit rus, Gjermania me masa

E publikuar: 19/06/2022 21:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Derisa Rusia e redukton furnizimin e saj me gaz natyror, ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck, ka thënë se Berlini duhet ta frenojë përdorimin e gazit. Përndryshe, gjërat “mund të ngushtohen në dimër”, tha ai.

Habeck ka deklaruar se Gjermania duhet të kufizojë përdorimin e saj të gazit për prodhimin e energjisë elektrike dhe t’i japë përparësi mbushjes së objekteve të magazinimit për të kompensuar një rënie të furnizimit nga Rusia.

Ai ka deklaruar se në një lëvizje që shkon kundër parimeve të Partisë së tij të Gjelbër miqësore me mjedisin, vendit do t’i duhet gjithashtu të rrisë djegien e qymyrit.

Kompania ruse e gazit Gazprom njoftoi javën e kaluar se po reduktonte furnizimet përmes gazsjellësit Nord Stream 1 për arsye teknike, duke thënë se kishte vonesa në riparimin e turbinave të kompresorëve nga kompania gjermane Siemens Energy.

Gjermania ka qenë nën kritika të forta në të kaluarën, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara, për mbështetjen e saj në burimet e lira të energjisë ruse, të cilat Uashingtoni i ka parë gjithmonë si një rrezik sigurie për Evropën, shkruan DW.