Reagon zyrtari i PDK-së: Albin Kurti do të duhej të vaksinohej i fundit

E publikuar: 29/03/2021 16:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Avni Bytyci, ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk duhet të vaksinohet i pari. Zyra e kryeministrit ka deklaruar se Kurti do të vaksinohet të hënën në ora 16:30.“Kryeministri sot nuk do të duhej të ishte i pari, por i fundit që do të vaksinohej. E para, Albini e ka kaluar Covidin një herë.

E dyta, janë disa kategori që janë më të rrezikuar, siç janë mjekët, infermierët, policët dhe kategoritë tjera, duke përfshirë shumë qytetarë në moshë të shtyrë dhe të sëmurë”, tha ndër tjerash Bytyci.Postimi i plotë:Në shumë vende të botës, liderët politikë e kanë marrë të parët vaksinën për t’i dëshmuar shoqërisë se vaksina anti-covid nuk është e rrezikshme, duke u dhënë shembull qytetarëve të atij vendi.

Rasti i Kosovës është e kundërta. Kryeministri sot nuk do të duhej të ishte i pari, por i fundit që do të vaksinohej.
E para, Albini e ka kaluar Covidin një herë. E dyta, janë disa kategori që janë më të rrezikuar, siç janë mjekët, infermierët, policët dhe kategoritë tjera, duke përfshirë shumë qytetarë në moshë të shtyrë dhe të sëmurë.Me një numër kaq të kufizuar të dozave, Albin Kurti do të duhej që ta priste rendin e tij sipas një kategorizimi të duhur në bazë të nevojave e jo të vrapojë që ta marrë i pari atë. Së pari, le ta kryej punën e tij si kryeministër e le t’i sigurojë dozat tjera. Këto vaksina janë lëmoshë për kategorinë më të rrezikuar e jo për politikanët, që edhe ashtu i kanë kushtet e shërbimet më të mira.

Nëse nuk ju duken këto argumente të mjaftueshme, shikojeni kancelaren gjermane, Angela Merkel që e pret rendin e saj, edhe pse vaksina është zbuluar nga dy shkencëtarë gjermanë!