Reagon Kamberi pasi mbështetësi i Millosheviqit, Handke, dekorohet nga Vuçiqi me medaljen më të lartë shtetërore

E publikuar: 11/05/2021 18:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi ka komentuar sa i përket dekorimit të shkrimtarit Peter Handke nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Vuçiq, e ka dekoruar me medaljen më të lartë shtetërore “Urdhri i Yllit të Karagjorgjit” fituesin e çmimit Nobel për letërsi vitin e kaluar, Peter Handke, i cili i bëri apologjetikë Sllobodan Millosheviqit për krimet e kryera në Ballkan.

Lidhur me këtë, Kamberi thotë se Vuçiq nuk nuk e dekoroi Handken për krijimtarinë e tij letrare, por për idetë e tij politike.

“Si i tillë, çmimi për Handke është anti-drejtësi për viktimat, anti-pajtim midis popujve dhe anti-paqe për rajonin.

Se çmimi për Handke është së pari vazhdimësi e legjitimimit institucional dhe shtetëror nga Republika e Serbisë, të mohimit të gjenocidit të Srebrenicës dhe të krimeve masive të kryera nga forcat serbe, në hapësirat ish-jugosllave përgjatë viteve ’90. E së dyti, marrë parasysh frymën e vizitës dhe profilin e takimeve të Handke-s në Republikën Serbe të Bosnjës para ardhjes në Beograd, edhe frymëzim i idesë për Serbinë e Madhe”, shkroi Kamberi.

Vuçiq tha se ishte apologjetika e shkrimtarit që ia siguroi çmimin Nobel atij.

Handke mbështeti regjimin e Sllobodan Millosheviqit, duke e mohuar gjenocidin në Bosnje dhe Hercegovinë, si dhe krimet në Kosovë.

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, e pati shpallur Handken si persona “non-grata”, duke thënë se ai nuk është i mirëpritur në Kosovë për shkak të “mbështetjes që ai i dha Millosheviqit dhe politikave të tij gjenocidale”.