Reagimi i prokurorit të EULEX-it pasi kupton se rasti “toka” i dorëzohet gjykatësve vendorë

E publikuar: 20/02/2018 15:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prokurori Italian Danillo Ceccarelli, nuk e ka pritur mirë lajmin e kryetari i trupit gjykues në rastin e njohur “Toka”, Petko Petkov, i cili njoftoi se EULEX ka dorëzuar lëndën te gjyqësia vendore në Kosovë.

Ceccarelli ka shpërthyer në kritika të ashpra ndaj misionit ndërkombëtar për sundim të ligjit në Kosovë (EULEX).

“E kundërshtoj këtë vendim. Është i padrejtë. Është një vendim që askush tjetër nuk mund ta marrë përveç presidentit të gjyqtarëve të EULEX-it, e jo menaxhmenti i tij”, ka thënë prokurori Ceccarelli.

Ai ka deklaruar se transferimi i lëndës te vendorët është përfundimi i kësaj lënde, “Dhe ne gjithë e dimë pse”.

Sipas prokurorit të EULEX-it, vendimi që po thuhet se është marrë nga menaxhmenti i misionit, pjesë e të cilës është edhe ai vetë, nuk do të dihet kurrë nga kush është marrë.

“Kjo duhet të jetë e qartë, se ky nuk është një vendim as i prokurorisë e as i gjyqtarëve. Personi që ka marrë këtë vendim kurrë nuk do të dihet se kush është. Nuk e dimë emrin e këtij personi dhe asnjëherë nuk do të dihet”, ka thënë ai.

Prokurori Danillo Ceccarelli ka vazhduar akuzat për misionin ndërkombëtar.

“Dorëzimi i kësaj lënde, në mes të shqyrtimit kryesor, me të pandehurit në paraburgim që nga prilli i vitit 2016, është turp për EULEX-in, është e pabesueshme. Paaftësi për të vënë drejtësi në misionin e sundimit të ligjit të Bashkimit Europain”, tha ai.

Sipas tij, prokurorët e as gjyqtarët e rastit nuk mund të lejojnë që për një rast për të cilin janë mbajtur të akuzuarit në paraburgim për dy vite gati, papritmas të vendoset që të dorëzohet.

“Ky është dështimi më i madh i EULEX-it, e jo ato skandalet e marrëzishme të pretenduara të cilat kurrë nuk kanë ndodhur. Ky është misioni ynë, që të japim drejtësi dhe këtu po dështojmë”, tha prokurori nga Italia./insajderi/