Rashiq: As Prishtinës, as Beogradit nuk interesohen për serbët e Kosovës

E publikuar: 28/02/2018 22:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Politikani serb, Nenad Rashiq, ka vlerësuar se nuk po punohet për qytetarët serbë të Kosovës, andaj edhe ata po largohen.

Sipas tij, veçanërisht pas vrasjes së Oliver Ivanoviq, brengosja e tyre lidhur me fatin e tyre është tejet e madhe.

“Numri i serbëve në Kosovë po reduktohet me një shpejtësi të madhe. As Beogradi e as Prishtina, sot e pamë se as Brukseli, nuk janë të brengosur për këtë çështje”

“Jo vetëm institucionet e Beogradit, por as Prishtina nuk është e interesuar që t’i integrojë serbët si pjesë e Kosovës” është shprehur Rashiq.

Ai tha se nuk sheh të ardhme të mirë për serbët e Kosovës, përderisa vazhdon kjo gjendje.

Lidhur me proceset nëpër të cilat po kalon Kosova, siç është demarkacioni, Rashiq tha se është mendësi e Ballkanit që të mos përfundohen siç duhet.

“Gjithmonë do të ekzistojë ndonjë pengesë, sepse mentaliteti është i tillë”

“Prandaj, edhe pse jam optimist dhe besoj se do të krijohet një e ardhme më e mirë në Kosovë, një gjë e tillë do të marrë shumë kohë” deklaroi Rashiq në një intervistë në Zona B në Klan Kosova.

Sa i përket lidershipit politik në Serbi ai u shpreh se është krijuar një bindje se kushdo që nuk i përkrah është kundër tyre, andaj dhe përdoren mekanizma të ndryshëm që personat e tillë të largohen, njofton Klan Kosova.