Raportohet se ky është pjesëtari i FSK’së i arrestuar për plagosjen e dy të rinjve në Shtërpcë (Foto)

E publikuar: 06/01/2023 20:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sipas raportimeve, pjesëtari i FSK-së, Azem Kurtaj është i dyshuari për plagosjen e dy qytetarëve të Komunës së Shtërpcës, njëri 21 vjeç e tjetri 11 vjeç.

Në komunikatën zyrtare të Policisë së Kosovë bëhet e ditur se i arrestuari, me inicialet A.K, është 33 vjeç.

“Arrestohet i dyshuari për plagosjen e dy personave në Shtërpcë. Policia Rajonale e Ferizajt, pas një pune intenzive hetimore , grumbullimit të informacioneve në terren kanë identifikuar e më pas kanë arrestuar të dyshuarin A.K (M/K) i moshës 33 vjeçar”, u tha në njoftim.

Policia sqaroi se i dyshuari është është shoqëruar në Policinë Rajonale të Ferizajt, përkatësisht në Sektorin Rajonal të Hetimeve, për veprime të tjera hetimore.

Ndërsa, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj e konfirmoi për opinionin se i përfshiri në këtë rast, është pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ai tha se ai do të trajtohet sipas rregulloreve dhe ligjeve në fuqi të FSK-së.

“Tani u njoftova se në rastin që ka ndodhur në Shtërpcë është përfshirë një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Me rastin janë duke u marrë organet e sigurisë dhe drejtësisë. I njëjti do ta trajtohet edhe sipas rregulloreve dhe ligjeve që kemi në fuqi në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë”, shkroi ai.

Mediat lokale nga komuna e Kaçanikut bëjnë të ditur se Kurtaj është nga kjo komunë.

“S’je Kacanikli nëse” ka shkruar se policia e ka konfirmuar identitetin e të arrestuarit, duke e publikuar edhe një fotografi të Kurtajt. Kjo media ka shkruar se Kurtaj, pjesëtar i FSK-së, është i biri i dëshmorit dhe sipas po të njëjtës, ai ka deklaruar se nuk është fajtor për atë që ka ndodhur sot.

Reagim pas incidentit në Shtpërcë ka bërë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“E dënoj ashpër sulmin ndaj dy qytetarëve të Kosovës në Shtërpcë. Thellësisht i brengosur për plagosjen e tyre. Sipas informatave, të rinjtë 11 dhe 21 vjeçar janë jashtë rrezikut për jetë dhe ju dëshiroj shërim të shpejtë. Policia e Kosovës veçse ka arrestuar të dyshuarin i cili pa asnjë mëdyshje duhet dhe do të përballet me organet e drejtësisë”, ka shkruar ai.

Pak orë më vonë, edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar për incidentin, duke kërkuar që përgjegjësi të vihet para drejtësisë.

“Plagosja e të rinjve 11 dhe 21 vjeçar në Shtërpcë është akt i patolerueshëm, ndaj autori duhet të vihet para drejtësisë. Institucionet e Kosovës janë të përkushtuara maksimalisht që qytetarëve pa dallim etnie t`u ofrohet ambient i sigurt dhe i qetë”, ka shkruar ajo. /GazetaExpress