Raportet e reja SHBA -Serbi, Serwer: Beogradi veproi zgjuar, amerikanët po e mashtrojnë veten

E publikuar: 19/05/2023 16:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

SHBA-ja ka zvogëluar kritikat për shtetin më antiamerikan të rajonit, Serbinë, në lidhje me Kosovën dhe përgjithësisht qëndrimeve të saj. Diplomati serb Gjuriq flet për një muaj të mjaltit nëpër të cilin po kalojnë amerikanët dhe serbët. Profesori amerikan, Daniel Serwer, i sheh raportet e tanishme të tyre si zgjuarsi të Serbisë në diplomaci dhe lobim. Por, SHBA-ja, sipas profesorit dhe ish-diplomatit, po e mashtron vetën për orientimin e aleates historike të Rusisë.

Administrata e Presidentit Biden, i cili ka deklaruar lidhje personale me Kosovën, ishte shpresë për Lëvizjen Vetëvendosje, që doli nga një luftë e hapur me Administratën Trump dhe rifitoi pushtetin. Në krye të diplomacisë amerikane u vendos Antony Blinken, që po ashtu, hynte në listën e miqve të Kosovës, ndërsa në Serbi u dërgua ambasador një prej veteranëve të diplomacisë, Christopher Hill, që kishte përkrahur bombardimin e Serbisë. Me krejt këtë formacion, llogaritej se “yjet” do të ishin anën e Kosovës.

Por, përgjatë këtyre dy vjetëve, zyrtarët amerikanë, jo rrallë, i kanë dhënë kritika Kosovës dhe merita Serbisë. Të gjitha këto lidheshin me dialogun mes dy shteteve dhe me zhvillimet në Kosovë.

Sipas ambasadorit serb në Uashington, Marko Gjuriq, Serbia tani i ka përmirësuar raportet me Shtetet e Bashkuara. Në intervistën e tij të fundit që u publikua në mediat serbe, Gjuriq është fokusuar të tregojë se sa shumë, sipas tij, është afruar Amerika dhe Serbia së fundmi, dhe se si, Kosova nuk e ka përkrahjen “e parezervë” të ndërkombëtarëve.

Profesori amerikan, Daniel Serwer, i cili ndjek zhvillimet në rajon, thotë se Serbia ka vepruar me mençuri në diplomaci dhe në lobim, për të përmirësuar raportet me SHBA-në.

“Serbia ka vepruar zgjuar në kanalet diplomatike dhe lobuese, ku ka gjetur më shumë pëlqim se në të kaluarën. Kosova i ka thënë disa herë jo SHBA-së, sepse çfarë i kërkohej të bënte, Qeveria nuk e ka vlerësuar në interes të saj. Ka raste kur Prishtina ka mundur të mbështetej para dhe jo mbrapa, por nuk jam i sigurt se do të bënte dallim të madh”, ka thënë Serwer për Gazetën Express.

Gjuriq fliste vetëm për afërsi dhe pika që e bashkojnë Serbinë dhe SHBA-në. Por, është lidhja historike me Rusinë, që e ndesh me Perëndimin. Megjithatë, Serbisë nuk ia ka prishur punët me SHBA-në as përkrahja që i dha me marshe dhe me mossanksionim Rusisë në agresionin ndaj Ukrainës.

Profesori amerikan thotë se nuk mund të gjejë asnjë arsye që mund ta bëjë SHBA-në të lavdërojë qasjen e Serbisë karshi Rusisë dhe Ukrainës.

“Me sa di unë, SHBA-ja nuk e ka mbajtur Serbinë përgjegjëse për dështimin e saj që të rreshtohet me sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Rusisë ose të ofrojë më shumë se përkrahje nominale për Ukrainën. Amerikanët duket se e kanë mashtruar vetën. Natyrisht, mund të ketë diçka që unë nuk e di, por nuk ka asnjë arsye të mirë që mund ta mendoj që SHBA-ja të lavdërojë politikën e Serbisë ndaj Ukrainës”, ka thënë Serwer.

Ka zëra që thonë se qasja e butë e SHBA-së, qëndrimet e ambasadorit Hill janë në kuadër të përpjekjeve për ta shkëputur Serbinë nga Rusia. Serëer thotë se SHBA-ja po dështon edhe në këtë pikë.

“Po, por kjo nuk po funksionon. Nuk ka asnjë shenjë të shkëputjes nga Rusia ose një drejtim më pro-perëndimor i Serbisë. Serbia është ulur në dy stole: Kina dhe Rusia, jo SHBA-ja dhe BE-ja”, ka thënë ai.

Ka edhe pikëpyetje të tjera në SHBA për raportet e tanishme të saj me Serbinë. Një shkrim i gjatë i gazetës The New York Times e ka lidhur presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, me botën e krimit të organizuar, vrasjet e korrupsionin. Për këtë artikull është pyetur të enjten në Senat Këshilltari Special i Sekretarit të Shtetit Derek Chollet, i cili e ka quajtur kredibil tekstin e gazetës, duke thënë se janë duke bërë një test me liderin serb.

Këto raporte të përmirësuara që po komentohen, sipas Gjuriqit, janë pikërisht meritë e presidentit Vuçiq. Ambasadori serb thotë se tani Serbia nuk shihet si para një dekade, si një shtet i padëshiruar.

Sipas tij, në Amerikë, ndonëse nuk pajtohen me Serbinë për statusin e Kosovës, tani mund të diskutohet për këtë çështje, madje, siç thotë ai, Serbia “dëgjohet dhe kuptohet”.

Në këtë kuptim, për t’i zbutur raportet mes dy vendeve që në zemër të mospajtimeve i kanë edhe bombardimet e NATO-s të prira nga SHBA, po përkujdeset Ambasadori i SHBA’së në Serbi Christopher Hill.

Madje, ai, në emër personal, kishte shprehur keqardhje që kishte ndodhur një episod i hidhur mes dy vendeve.

Diku në dhjetor të vitit të kaluar Hill, i pyetur për bombardimet, kishte deklararur se personalisht “i vjen keq” që një gjë e tillë ka ndodhur, por shton se duhet marrë mësime nga e kaluara dhe s’duhet bërë pengje të saj.

“S’jam i lumtur për këtë. Por, në një moment njerëzit duhet të kthehen drejt së ardhmes për të lëvizur përpara. Për të provuar për të marrë mësime nga e kaluara, por jo për t’u bërë pengje dhe skllav të së kaluarës”, ka thënë Hill.

Kjo deklaratë e e ambasadorit amerikan lidhur ishte komentuar gjatë edhe nga analistë amerikanë, ndërsa Hillit i kishte reaguar edhe Kryeministri Albin Kurti. /Express/

Në fotografinë kryesore: Marko Gjuriq, ambasador i Serbisë në Washington, D.C. dhe Gabriel Escobar, emisar special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor.