Ramush Haradinaj është bërë si Adem Mikullovci, nuk e di çfarë po ndodh në shtet

E publikuar: 29/03/2018 16:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri Ramush Haradinaj me gjasë nuk po mund ta përcjellë më Hashim Thaçin. Ai, sot, në një konferencë për media e ka pranuar se nuk ka qenë në dijeni se çfarë po ndodh me ndalimet që u janë bërë 5 gylenistëve, të cilët i ka kërkuar Erdogan e që sot gjatë ditës u deportuan drejt Turqisë
Presidenti Hashim Thaçi e ka zënë në gjumë qe dy herë kryeministrin Ramush Haradinaj brenda pak ditësh. Fillimisht e la të painformuar për zhvillimet në Veri, kur dërgoi Njësinë Speciale e cila e arrestoi Marko Gjuriqin, ndërsa sot kur nisi një aksion të ri për arrestimin e gylenistëve që Erdogani po i kërkon që prej vitit 2016, kur ndodhi puçi në Turqi, që sipas shumë shërbimeve, u inskenua nga diktatori turk.

Kryeministri Haradinaj e ka pranuar se nuk ka qenë në dijeni se ka nisur arrestimi i shtetasve turq.

“Nuk kam ditë përpara që do të ndodhin këto ndalime. Janë ndalime edhe kam kërkuar informacion nga Policia edhe nga institucionet tjera. Arsyeja e ndalimit është mënyra e qëndrimit, është e padefinume. Zakonisht të huajt që vijnë në Kosovë, janë disa procedura për qëndrim, që jemi të detyruar t’i zbatojmë ndaj të gjithëve pra duhet të rregullohet mënyra e qëndrimit. Me sa e di unë arsyeja e ndalimit është vetëm kjo. Nuk besoj se ka lidhje me çështje tjera dhe do të interesohem për këtë temë”, ka thënë Haradinaj.

Pra, nga përgjigjja e Haradinajt shihet se kryeministri përsëri mbetet i painformuar për ngjarjet kryesore në vend, pasi Thaçi me lehtësi po i luan lojërat e tij duke e anashkaluar komplet shefin e Qeverisë.

E situata e Haradinajt po bëhet e krahasueshme me atë të deputetit të Vetëvendosjes, Adem Mikullovcit, i cili kur ishte pyetur për përçarjen që po thellohej brenda Vetëvendosjes kishte thënë se asgjë nuk është duke ndodhur brenda partisë./Express/