Haradinaj e nis fushatën nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës

E publikuar: 25/09/2019 00:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kandidati për kryeministër të vendit nga radhët e koalicionit mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partisë Socialdemokrate, Ramush Haradinaj, e ka nisur fushatën për zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Haradinaj ndodhet aktualisht në Nju-Jork, për një vizitë zyrtare.

“Në këto çaste kur po hapet edhe zyrtarisht fushata zgjedhore në Kosovë, ndodhem për vizitë zyrtare në ShBA. Edhe pse larg, jam mes bashkatdhetarëve tanë, që me zemër janë në Atdhe dhe nga ta po marr mbështetje të parezervë për vendimet e mëdha që ia rikthyen qytetarit të Kosovës, dinjitetin dhe ndjenjën e krenarisë”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e tij, në rrjetin social Facebook, në internet.

“Për kontributin e madh për çështjen shqiptare dhe forcimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe ShBA-së, kam ndarë për shoqata e veprimtarë të shumtë medaljen “Gjergj Kastrioti – Skëndërbeu”. Shqiptarëve të Amerikës, ata që ishin krahu më i fuqishëm në shtetkrijim dhe shtetbërje, ua kemi borxh një Kosovë 100% brenda kufijve të saj, pa pikëpyetje të shtetësisë dhe ekonomikisht të zhvilluar”, është shprehur shefi në largim i ekzekutivit të vendit.

“Nga New York-u, i bindur se opcioni i koalicionit AAK-PSD është fitues, uroj që zgjedhjet të pasqyrojnë kulturë të lartë dhe pjekurinë politike e demokratike të shoqërisë sonë”, ka deklaruar Haradinaj.