Ramën e telefonon Këshilltari i Biden për Siguri, i shpreh mbështetjen e SHBA-së pas sulmit kibernetik të Iranit

E publikuar: 08/09/2022 17:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Këshilltari për Siguri Kombëtare i Presidentit Joe Biden, Jake Sullivan, ka telefonuar kryeministrin Edi Rama për t’i shprehur mbështetjen e fortë të SHBA-së lidhur me sulmin kibernetik të Iranit.

Shtëpia e Bardhë në një komunikatë për media ka njoftuar se do të angazhohen për të punuar së bashku me Shqipërinë për të marrë masa për sigurinë kibernetike, transmeton Gazeta Express

“Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Jake Sullivan foli sot me kryeministrin Edi Rama të Shqipërisë për të shprehur mbështetjen e fortë të Shteteve të Bashkuara për aleatin tonë në NATO pas sulmit kibernetik të Iranit më 15 korrik. Ata u zotuan të vazhdojnë të punojnë së bashku në përpjekjet e Shqipërisë për korrigjimin dhe masat e sigurisë kibernetike”, thuhet në njoftim.

Sullivan ka falënderuar Shqipërinë edhe për strehimin e afganëve.

“Gjithashtu, z. Sullivan shprehu vlerësimin për pritjen bujare të Shqipërisë për shtetasit afganë që janë larguar nga Afganistani, shumë prej të cilëve ndihmuan përpjekjet e SHBA-së atje. Ata diskutuan gjithashtu partneritetin tonë të vazhdueshëm për çështjet rajonale dhe globale, duke përfshirë NATO-n”, thuhet tutje në njoftim.