Rama: S’bën të ketë BE pa Serbinë, duhet ta kuptojmë pse ajo s’i vë sanksione Rusisë

E publikuar: 26/04/2023 20:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, shpeshherë është sulmuar politikisht për lidhjen e ngushtë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Megjithatë, Rama nuk kompleksohet për këtë teksa jep mendimin e tij pozitiv për integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.

Në një intervistë për emisionin italian “Porta a Porta”, Rama deklaroi se anëtarësimi i Beogradit në BE nuk e frikëson atë, përkundrazi mendon se është lëvizje gjeostrategjike për të mos e lejuar të shkojë në krahët e Rusisë.

“Jo vetëm që nuk i trembemi kësaj, por jemi një zë mjaftueshëm i dalluar në Ballkanin Perëndimor që thotë se duhet ta mbajmë Serbinë shumë pranë dhe duhet të bëjmë gjithçka që të jemi të bashkuar politikisht. Nga ana tjetër, sigurisht që ka dallime sepse Serbia nuk e ka sanksionuar Rusinë për arsye të qarta që në një moment duhet kuptuar se ato janë arsye të natyrës politike dhe historike, por edhe të natyrës pragmatike”, u shpreh Rama.

Për Ramën nuk duhet të imagjinohet një Bashkim Evropian që mirëpret në union shtetet e tjera të Ballkanit dhe jo Serbinë.

Tutje, Rama tha se mendon se të gjitha vendet e rajonit duhet të bëjnë përpjekje për të shmangur që pasioni luftarak të mos i përfshijë duke çuar në krijimin e mosmarrëveshjeve mes vendeve anëtare të NATO-s dhe pro NATO-s dhe mes Serbisë dhe komuniteteve sllavo-ortodokse, që është e lidhur ngushtë me Rusinë./tvklan