Rama mban konferencë për media sot ne ora 14:00 pas takimeve me liderët

E publikuar: 30/06/2020 10:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama sot e përmbyll vizitën dy ditore në Kosovë. Pas takimit të fundit, Rama pritet të ju drejtohet mediave. Burimet e Gazetës Express kanë bërë të ditur se kryeministri flet para gazetarëve në ora 14:00 në një paraqitje nga aeroporti i Prishtinës.

Pak ditë pas lajmit se Prokurori i Specializuar ka dërguar për konfirmim aktakuzat për presidentin e vendit, Hashim Thaçin dhe kreun e PDK’së, Kadri Veselin nën dyshimin e kryerjes së 100 vrasjeve të paligjshme, Kosovën e ka vizituar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Rama ka shkruar dje se po qëndron në Kosovë për të mësuar e dëgjuar më shumë për aktakuzat e Speciales për të cilat ka deklaruar se janë njollë turpi e shekullit 21.

Gjatë ditës së djeshme, Rama është takuar me kreun e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limajn me të cilin edhe ka drekuar në një nga restorantet e Prishtinës.

Pastaj, me kryeparlamentaren Vjosa Osmani dhe me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin.

Më vonë, kreu i Qeverisë shqiptare është takuar me kreun e PDK’së, Kadri Veselin e pastaj edhe me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin me të cilin dhe me disa liderë të tjerë kanë drekuar në një nga restorantet e Prishtinës.

Megjithatë, në asnjë nga këto paraqitje, Rama nuk ka folur i pyetur nga mediat.

Kryeministri i Shqipërisë në ditën e dytë të vizitës ka mbajtur takim me kreun e LDK’së, Isa Mustafën, derisa do të takohet me kreun e AKR’së, Behgjet Pacollin dhe kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmetin.

Takim nuk do të mbajë me kreun e AAK’së, Ramush Haradinaj, me të cilin ka një kohë që të dy i kanë raportet e acaruara.

Pas të gjitha këtyre takimeve, kreu i Qeverisë shqiptare, siç merr vesh Gazeta Express do të bëjë një paraqitje para mediave.

Sipas burimeve, Rama do të flasë para gazetarëve në ora 14:00 në një paraqitje nga aeroporti i Prishtinës./EXPRESS/.