Rama: Këshilli i Evropës duhet të kërkojë falje, raporti me përplot gjepura solli në jetë Gjykatën Speciale

E publikuar: 19/07/2022 14:34
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se nuk mund të thotë nëse Rusia ishte pjesë e sulmit kibernetik që ndodhi së fundmi, por sipas tij është një histori e trafikimit të organeve që u nis nga Rusia.

Pas Konferencës së parë Ndërqeveritare mes BE-së dhe Shqipërisë, ai tha se nuk ka asnjë provë për trafik organesh, njofton Klankosova.tv.

“Siç e vutë re kjo gjykatë e Hagës është krijuar në bazë mbi këtë raport, sepse ka qenë ky raport përplot me gjepura që ka sjell pikërisht në jetë këtë Gjykatë Speciale. Janë bërë shumë hetime të pavarura për këtë në Shqipëri dhe Kosovë, dhe nuk kanë sjell asnjë provë për këtë akuzë, zero, zero absolute përqindje të trafikimit të organeve”.

“Tani çfarë ne kërkojmë është që t’i themi botës që kjo ishte një maskaradë dhe kjo maskaradë nëpërmjet një sasisë të pallogaritshme balte hedhur ndaj të gjithë vendit, ndaj një shteti të pavarur siç është Kosova dhe të gjithë luftës çlirimtare. S’është akuzë, janë fakte. S’ka prova të kush e di sa hetimeve që ka pasur të trafikimit të organeve njerëzore të organizuar nga udhëheqja e UÇK-së që ka qenë në fakt viktimë e një sulmi të organizuar në të gjithë botën. Tani askush s’duhet të përpiqet ta pështjellojë në një mënyrë tjetër, s’ka të bëjë fare me procesin që po ndodh apo me akuzat apo me provat në Hagë. Ka të bëjë me një faqe turpi të Këshillit të Evropës dhe Këshilli i Evropës duhet të gjejë kurajën të dalë përballë dhe të thotë ‘na falni’, sepse nuk mundeni, dhe me institucione kaq demokatrike nuk munden ta bëjnë një gjë të tillë, në një vend ku gjëra të tmerrshme kanë ndodhur dhe ne i kemi përjetuar nën diktatin sovjetik. Asgjë personale, por kjo është diçka që duhet bërë e ditur me emrin që ka derisa të ketë një provë sado të vogël të të kundërtës”.

Rama më tej tha se është e pamundur të akuzosh një komb të tërë që u çlirua nga përpjekja e madhe të koalicionit të shteteve demokratike, dhe falë një ushtrie çlirimtare, përkundër një makinerie të spastrimit etnik të Sllobodan Millosheviqit, dhe krejt papritur të hidhen kështu në thellësitë më të mëdha të mediave dhe të plehrave gazetareske.

“S’ka të bëjë veç me media, por me raportin, dhe s’ka të bëjë me raportin e dikujt por të atyre që kanë mbështetur të gjithë Këshillin e Evropës”, tha ai.