Rama: Ka urdhëruar policinë që të ruajë Bashën? / Keqardhje për demokratët e thjeshtë! Nuk kam punë me kacafytjen e kufomave

E publikuar: 18/12/2021 22:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me situatën në Partinë Demokratike, duke iu përgjigjur dhe akuzave të Berishës se ka vënë ekipe të gardës dhe policisë së shtetit në shërbim të Bashës.

Rama thotë se nuk ka asnjë punë, as ai, as policia e shtetit me atë që ndodh brenda PD-së.

“Unë s’kam asnjë punë me kacafytjen e dy kufomave politike njëra grata tjetra nongrata që e kanë futur Partinë Demokratike në inceneratorin e marrëzisë së tyre.

Policia e Shtetit jo e jo që nuk ka asnjë lidhje me tymin e marrëzisë që po djeg PD. Keqardhje për demokratët e thjeshtë!”, shkruan Rama në postimin e tij.

Akuzat për prani të Gardës dhe RENEA-s në ambientet e PD-së i bëri ish-kryeministri Sali Berisha në fjalën e mbajtur nga oborri i selisë së PD pas mbylljes së procesit të numërimit të votave të Referendumit.

Berisha i bëri thirrje kryeministrit që të mos e vërë gardën në dispozicion të PD-së pasi detyra e saj është të ruaje rendin dhe qetësinë. Pretendimet për prani të policisë në Selinë Blu i hodhi poshtë Basha, i cili tha se PD është shtëpia e lirisë dhe nuk ka nevojë për mbrojtje.