Rama Hajrizi thotë se AKK ka gabuar: Nuk janë 6 milionë euro, por 6 mijë

E publikuar: 29/06/2021 21:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi, ka demantuar të dhënat e Agjencisë Kundër Korrupsionit se e njëjta ka në konton e saj bankare mbi 6 milionë euro.

Rama-Hajrizi ka deklaruar se shuma e saktë është mbi 6 mijë euro.

Përmes një publikimi në Facebook e njëjta tha se publikimet në fjalë janë të pavërteta dhe se bëhet fjalë për lëshim teknik në formularin e deklarimit të pasurisë, transmeton lajmi.net.

“Duke respektuar gjithnjë të drejtën e mediave për informim dhe transparencë, për hir të së vërtetës dhe informimit të saktë të opinionit publik dua t’ju njoftoj se, ky nuk është lajm i saktë, meqenëse është i bazuar në të dhënat e shënuara gabimisht në formularin e deklarimit të pasurisë. Shuma e saktë e parave të gatshme është: 6,311.98 euro (pra 6 mijë), e jo 6 milionë”, shkroi ajo.

E njëjta tha se nesër do t’u drejtohet zyrtarëve kompetent të AKK-së që sa më parë të korigjohet ky gabim.

“Bëhet fjalë për një lëshim teknik në plotësimin e Formularit të deklarimit të pasurisë, për ç’arsye unë nesër do t’u drejtohem zyrtarëve kompetent të kësaj agjencie që sa më parë të korrigjohet ky gabim”.