QKUK e ndërron operatorin, furnizohet me gaz oksidul veç për tre muaj (DOKUMENT)

E publikuar: 04/10/2017 14:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas afro një muaji në mungesë të gazrave medicinale, Qendra Klinike Universitare e Kosovës dhe të gjitha spitalet regjionale në Kosovë kanë nënshkruar kontratë emergjente me operatorin e ri për furnizim me këto lloj gazrash “Medica”, e cila e ka selinë në Prishtinë. QKUK-ja, javë më parë kishte shkëputur kontratën me kompaninë e cila bënte furnizimin me këto gazra “Bubeari Komerc” pas 3 vdekjeve të dyshimta që ndodhën më 7 shtator të këtij viti në këtë institucion shëndetësor, e që dyshohet se erdhën si pasojë pikërisht e gazit oksidul (N20).

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, në shtator të këtij viti ka shpallur tenderin  emergjent për “Furnizim me gaz”, për QKUK-në dhe të gjitha spitalet regjionale në Kosovë. E gjithë kjo erdhi pas anulimit të kontratës me kompaninë ‘Bubeari Komerc’, kompani e cila dyshohet të ketë prodhuar gazin oksidul pa licencë, i cili dyshohet se çoi në tri vdekje të pacientëve në QKUK, më 7 shtator të këtij viti.

E për kontratën e re për furnizim me këtë lloj gazi, të shpallur javë më parë, kanë aplikuar dy kompani. Tenderi i është dhënë kompanisë “Medica shpk”.

Por, kjo kompani do ta bëjë furnizimin me “gazra medicinale” për QKUK-në dhe spitalet tjera rajonale për vetëm tre muaj me mundësi të vazhdimit edhe për tre muaj të tjerë. Kështu thuhet në kontratën e bërë publike, e cila është nënshkruar më 29 shtator në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik.

Furnizimi me këto lloj gazrash për tre muaj i ka kushtuar buxhetit të SHSKUK-së, 257 mijë e 842 euro. Tender ky i cili kishte pasur çmimin më të ulët sesa kompania tjetër e cila kishe ofertuar me çmim për furnizim me gazra medicinale në vlerën e 303 mijë e 469 eurove.

E ndërkohë, të enjten që shkoi, klinikat e Kirurgjisë Torakale, kanë filluar punën pas tre javëve mospunë. Në mungesë të gazit oksidul operimet kishin filluar të kryheshin me ndihmën e ajrit të komprimuar, metodë kjo të cilën po e përdorin edhe shtetet e Bashkimit Evropian. E kjo alternativë, sipas udhëheqësve të kësaj Klinike, do të përdoret për një kohë të gjatë.

Gjatë muajit të kaluar, në QKUK, në rrethana ende të dyshimta, kanë ndërruar jetë tre pacientë të cilët ishin futur në sallat e operimit. Dyshimet e para të hetuesisë, bien mbi gazin oksidul (N20), i cili ishte prodhuar pa licencë adekuate në Kosovë nga një kompani e cila kishte selinë në Kaçanik. Lidhur me këtë çështje Prokuroria e Shtetit është duke i vazhduar hetimet, e QKUK tashmë e ka ndërprerë kontratën me këtë kompani. /GazetaExpress/

Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/lajme/qkuk-e-nderron-operatorin-furnizohet-me-gaz-oksidul-vec-per-tre-muaj-dokument-443014/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright